Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi ka rrëguar për ndarjen nga jeta të avokatit Saimir Vishaj.
Në reagimin e saj, Qeleshi deklaron se ndarja nga jeta e avokatit është një humbje e dhimbshme për avokatinë dhe drejtësinë shqiptare, por mbi të gjitha, një humbje e ndjerë në planin njerëzor dhe personal për të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin nga afër.
Qeleshi shkruan se, ka ikje që nuk lënë pas vetëm mungesën e një njeriu, por edhe boshllëkun e pranisë, të fjalës, të të qeshurave dhe të kujtimeve të përbashkëta.
Ajo thotë se humbja e parakohshme e avokatit është më shumë se një humbje profesionale, është një humbje njerëzore.
Reagimi i Joana Qeleshit
Ka njerëz që, përmes rrugëtimit të tyre profesional, personalitetit dhe marrëdhënieve njerëzore që ndërtojnë, lënë gjurmë që koha nuk i fshin.
Ndarja nga jeta e Avokat Sajmir Vishajt është një humbje e dhimbshme për avokatinë dhe drejtësinë shqiptare, por mbi të gjitha, një humbje e ndjerë në planin njerëzor dhe personal për të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin nga afër.
Si President Nderi e themelues i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, ai mbetet pjesë e historisë sonë institucionale dhe e rrugëtimit të përbashkët profesional. Por përtej këtij dimensioni, do të na mungojë të gjithëve njeriu që ishte: humori i tij i veçantë, energjia e pashtershme, shpirti i gjallë, alegria kudo shkelte dhe kurajo me të cilën përballonte sfidat e jetës dhe të profesionit pa asnjë frikë.
Ka ikje që nuk lënë pas vetëm mungesën e një njeriu, por edhe boshllëkun e pranisë, të fjalës, të të qeshurave dhe të kujtimeve të përbashkëta. Humbja e parakohshme e Sajmirit është më shumë se një humbje profesionale: është një humbje njerëzore, që secili prej nesh do ta përjetojë dhe kujtojë në mënyrën e vet.
Në emrin tim dhe në emër të Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, i shpreh familjes ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë me ta dhimbjen për këtë humbje të pazëvendësueshme.
U prehsh në paqe miku i shtrenjtë dhe kolegu i dashur Sajmir!/k.m
