Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shprehet se Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm të kauzës së shqiptarëve të Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj.
Kryedemokrati e ka cilësuar “kongresmenin si një mik të shtrenjtë të demokracisë në Shqipëri që nga hapat e saj të parë e në vazhdim”. Berisha u ka përcjellë ngushëllimet familjes dhe miqve e të afërmve të kongresmenit.
Postimi i plotë:
Dielli perëndoi përgjithmonë për Eliot Engel, mikun e shquar të kombit shqiptar
Të dashur miq,
Ish-kongresmeni amerikan, ish-kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit të SHBA-së, Eliot Engel, një nga miqtë më të mëdhenj, më të dashur e më të çmuar të kombit shqiptar, edhe në kohërat tona më të vështira, mbylli sytë përgjithmonë.
Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për kombin amerikan, të cilit Kongresmeni Engel i shërbeu me dinjitet të lartë në 16 legjislatura për më shumë se tri dekada si përfaqësues i tij në Kongresin e SHBA-së, por është një humbje e madhe edhe për kombin shqiptar.
Eliot Engel, që nga fillimi i viteve ’90 dhe deri në fund të jetës së tij, ishte një nga zërat më të fuqishëm të kauzës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj. Ai ishte një nga promotorët kryesorë të shndërrimit të çështjes së drejtë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në një çështje prioritare të politikës së jashtme të Kongresit dhe qeverisë së SHBA-së.
Por, Kongresmeni Eliot Engel ishte gjithashtu një mik i shtrenjtë i demokracisë në Shqipëri që nga hapat e saj të parë e në vazhdim. Ai ishte një mbështetës i çmuar i votës së lirë, i integrimit euroatlantik dhe i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kongresmeni Engel ishte një avokat i fuqishëm në Kongresin e SHBA-së për liritë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë dhe kudo në botë.
Kam pasur fatin ta takoj shumë herë, që nga viti 1992, këtë mik të shquar; ta pres në Shqipëri e ta takoj në Ëashington e Neë York, duke pasur mbështetjen e tij të çmuar dhe duke bashkëpunuar ngushtë për çështje të politikës së jashtme dhe interesit të përbashkët.
Duke shprehur nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen e pakufishme për gjithçka bëri për shqiptarët, ky burr i shquar i kombit amerikan, i përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të Kongresmenit Engel, si dhe autoriteteve të vendit të tij.
I lutem Zotit që shpirti i tij i mire të gjejë paqen e merituar. Amin. /Kb
