Last Updated on 14/02/2025 by adminfjala
Ndarja nga jeta e diplomatit Shaban Murati në moshën 79-vjeçare ka tronditur jo vetëm familjarë, të njohur dhe miq të tij, por edhe drejtues të institucioneve në vend.
Mes tyre edhe kreu i shtetit, presidenti Bajram Begaj, i cili e quan “mikun e tij”.
Kreu i shtetit vlerëson figurën dhe veprën e Muratit, duke shtuar se ishte “burr fisnik, i mirë dhe që atdheun e tij e kishte gjithmonë me vete e të shenjtë”.
Reagimi i Presidentit Bajram Begaj, në Facebook:
“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati.
Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer.
Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori.
Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne! Shpirti t’u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati!”./ S,M