Last Updated on 07/05/2026 by Kesjana
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë këtë të enjte, 7 maj, nisi me një minutë heshtje. Deputetët nderuan ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Servet Pëllumbi u përcoll dje për në banesën e fundit me një ceremoni solemne në Teatrin e Operas dhe Baletit ku figura të shquara të politikës, intelektualë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit.
Servet Pëllumbi lindi në Korçë më 14 dhjetor 1936. Një vit ky pa histori për shqiptarët, por në këtë vit rastësisht lindën shqiptarë të cilët me mendim dhe shkrim do të linin histori ndër shqiptarët, Ismail Kadare, Rexhep Qosja apo Adem Demaçi.
Në moshën 8-vjeçare, Servet Pëllumbi mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe u plagos, ndërsa vëllai i tij, ndonëse çliroi atdheun, në regjimin komunist u shpall armik i popullit dhe u dënua me burgim në Spaç.
Megjithatë, Servet Pëllumbi kreu studimet e larta në Universitetin e Shën Petersburgut në Rusi, ku u titullua doktor i shkencave në letërsi.
Me kthimin në Shqipëri, nga viti 1960–1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Nga ky vit, Servet Pëllumbi u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë së Punës, ndërsa vijoi për 3 vite si pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ndryshimi i sistemit e pozicionoi Servet Pëllumbin në Partinë Socialiste, jo thjesht rishtazi si nënkryetar i PS, por si ideolog dhe reformator i kësaj partie prej themelimit, bashkë me Dritëro Agollin dhe intelektualët të cilët krijuan PS.
Në vitet më të vështira të kësaj partie, Servet Pëllumbi ka udhëhequr fushatën e socialistëve për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.
Ai udhëhoqi protestën kundër vjedhjes së votës më 28 maj 1996 dhe fotoja e tij me fytyrën e përgjakur nga dhuna e shikasve bëri xhiron e botës.
Në vitin 2002 pasoi Namik Doklen si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.
Më pas, Pëllumbi u tërhoq nga politika, duke vijuar me idetë e tij të kontribuojë në jetën publike, edhe në politikë, jo rrallëherë edhe kritik ndaj lidershipit të PS, si në kohën kur e drejtonte Fatos Nano, edhe me pasuesin e tij, Edi Rama.
Stafetën në politikë, Servet Pëllumbi ia la djalit të tij, Arben Pëllumbi, i cili u zgjodh dy herë deputet me PS.
Vijoi të publikojë libra, filozofikë, sociologjikë apo edhe politikë, më i fundit, vepra që e quajti ditari i tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, për vitet 1991–1996.
Gjatë jetës së tij ai u nderua me titujt më të lartë, si ai nga ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”./kb
