Jimmy Cliff, këngëtari legjendar nga Xhamajka që së bashku me Bob Marley popularizoi reggae-n, ska-n dhe rocksteady-n për më shumë se gjashtë dekada, ka ndërruar jetë. Lajmin e bëri të ditur bashkëshortja e tij, Latifa Chambers, në një postim në Facebook të hënën, më 24 nëntor, duke sqaruar se shkaku i vdekjes ishte një krizë epileptike e pasuar nga pneumonia.
I lindur më 30 korrik 1944 në St. James Parish gjatë një uragani, ai u shpërngul që i ri në Kingston për të ndjekur ëndrrën muzikore. Vetëm 14 vjeç u bë i famshëm në mbarë vendin me këngën “Hurricane Hattie”. Gjatë karrierës, Cliff publikoi mbi 30 albume dhe performoi në mbarë botën.
Ai u bë një figurë kyçe në historinë e muzikës reggae dhe fitoi famë të madhe edhe si aktor me filmin klasik të vitit 1972 The Harder They Come, i cili e prezantoi reggae-n tek publiku ndërkombëtar. Ndër hitet e tij më të njohura janë “You Can Get It If You Really Want”, “Many Rivers to Cross”, si dhe interpretimet e “I Can See Clearly Now” dhe “Wild World”. Bob Dylan e quajti këngën e tij “Vietnam” protestën më të mirë të shkruar ndonjëherë.
Cliff bashkëpunoi me emra të mëdhenj si Rolling Stones, Elvis Costello, Annie Lennox dhe Paul Simon. Ai fitoi dy çmime Grammy dhe u nderua me Order of Merit, çmimi më i lartë i artit dhe shkencës në Xhamajka. Në vitin 2010 u fut në Rock and Roll Hall of Fame.
Jimmy Cliff mbetet një simbol i muzikës xhamajkane dhe një zë i pandalshëm i humanizmit dhe protestës sociale./mxh
