Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, ku u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë publike, zbatimin e ligjit dhe rritjen e efektivitetit të reagimit policor në terren.
Gjatë takimit, Hita kërkoi nga drejtuesit vendorë dhe strukturat e Policisë në Sarandë dhe Vlorë që të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës dhe të perceptimit të qytetarëve për punën e policisë.
“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia,” u shpreh ai.
Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo punonjësi policie që, sipas tij, rezulton i përfshirë në lidhje me grupe kriminale apo veprimtari të paligjshme.
“Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementët me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do të merret drejtësia me të,” theksoi Hita.
Ai kërkoi gjithashtu rritje të kontrollit dhe reagimit ndaj krimit të organizuar, armëmbajtjes pa leje, trafikut të narkotikëve dhe çdo aktiviteti që cenon rendin publik. Në fokus të veçantë u vendos edhe lufta kundër ndërtimeve pa leje dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera për mbrojtjen e territorit.
Hita nënvizoi se siguria në shkolla mbetet prioritet kryesor, duke kërkuar angazhim maksimal të strukturave policore deri në përfundim të vitit shkollor, si dhe intensifikim të punës informative dhe parandaluese.
Ai kërkoi gjithashtu rritje të prezencës së forcave policore në terren nga Policia Rrugore, patrullat e përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.
Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet e kërkuara përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit, veçanërisht në prag të sezonit turistik, kur kërkohet një angazhim i shtuar për garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët dhe turistët./A.D
