Vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të ri të “Big Brother VIP Kosova”, duket se prezantimi i spektaklit mund të marrë një tjetër drejtim. Jonida Vokshi, e cila kishte njoftuar se nuk do të ishte pjesë e këtij edicioni, përflitet se do të rikthehet në ekran përkrah Alaudin Hamitit.
Sipas informacioneve që po qarkullojnë, produksioni ka shqyrtuar disa mundësi për të përcaktuar se kush do të drejtonte sezonin e pestë. Mes emrave të përmendur ka qenë edhe moderatorja Bora Zemani, por deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për përfshirjen e saj në projekt.
Raportohet se angazhimet e Borës në Top Channel kanë ndikuar në mosrealizimin e kësaj alternative, ndërsa mundësia që Alaudin Hamiti ta prezantonte i vetëm spektaklin ishte gjithashtu në diskutim.
Megjithatë, zhvillimet e fundit sugjerojnë se produksioni mund të ketë vendosur të rikthejë formulën e njohur me dy moderatorë, duke bashkuar sërish Jonida Vokshin dhe Alaudin Hamitin në skenën e BBVK-së.
Në fund të gushtit, Jonida kishte bërë të ditur se pas katër sezonesh do të tërhiqej nga moderimi i këtij formati. Në atë kohë, ajo shpjegoi se dëshironte të ngadalësonte ritmin e angazhimeve dhe t’i kushtonte më shumë kohë familjes.
Nëse rikthimi konfirmohet, ky do të ishte një ndryshim i papritur në planet për sezonin e ri, duke rikthyer një dyshe tashmë të njohur për publikun.
Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Kosova” pritet të nisë më 30 tetor, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Jonida do të jetë vërtet sërish pjesë e spektaklit. Deri në një njoftim zyrtar, lajmi mbetet në kuadrin e raportimeve dhe aludimeve./mxh
