Dosja Vanguard
Intervistë me Pierre Pahlavi, i afërm i shahut të fundit dhe profesor në një akademi ushtarake kanadeze
Lufta mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, në zhvillim
Alexis Rodríguez-Rata
Barcelonë
Lufta në Iran dhe në rajonin e Gjirit Persik mbetet e mbështjellë nga pasiguria. A do të rezistojë Teherani? Sa larg mund të përhapet ky konflikt, që prek edhe Qipron, një vend anëtar i Bashkimit Evropian?
Pierre Pahlavi (Teheran, 1972), stërnip i shahut të fundit të Iranit dhe aktualisht profesor në një akademi ushtarake kanadeze në Toronto, ofron perspektivën e tij. Një ekspert i njohur i sigurisë ndërkombëtare dhe gjeopolitikës së Lindjes së Mesme, me fokus Iranin, ai paralajmëron se, pavarësisht ritmit të shpejtë të zhvillimeve, regjimi ka ende një themel të fortë për t’i bërë ballë presionit.
A po përjeton Republika Islamike një moment kritik? A është realiste të flitet për shembjen e saj?
Vdekja e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, dhe lufta aktuale përbëjnë padyshim një nga krizat më serioze që nga viti 1979. Megjithatë, regjime të këtij lloji shpesh rezultojnë më elastike nga sa pritet. Sistemi është ndërtuar qëllimisht me mekanizma institucionalë që thithin goditjet ndaj udhëheqjes.
Pas vdekjes së Khameneit dhe drejtuesve të tjerë të lartë, a mund të ruajnë autoritetet kontrollin? A po e merr ushtria drejtimin?
Kushtetuta parashikon mekanizma për një udhëheqje të përkohshme pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem, duke garantuar vazhdimësinë deri në zgjedhjen e pasardhësit nga Asambleja e Ekspertëve. Në praktikë, aktorët vendimtarë pritet të jenë Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe strukturat e tjera të sigurisë, që përbëjnë shtyllën kurrizore të pushtetit.
Sa e rëndësishme është milicia Basij në frenimin e ndryshimeve?
Milicia Basij mbetet një komponent kyç i sigurisë së brendshme. Funksioni i saj është parandalimi i protestave në shkallë të gjerë dhe ruajtja e rendit gjatë trazirave.
Cili është skenari më i mundshëm: konsolidim i regjimit, tranzicion i kontrolluar apo kaos?
Një skenar si ai i Irakut në vitin 2003 – shembje e shtetit dhe fragmentim – përmendet shpesh, por mbetet pak i mundshëm. Irani ka institucione të forta dhe një aparat sigurie koheziv.
Më të besueshme janë dy alternativa: një konsolidim autoritar rreth strukturave të sigurisë, ose një transformim gradual i brendshëm, ku elitat rikonfigurojnë sistemin pa e rrëzuar plotësisht. Në kushte krize, nuk përjashtohet as shfaqja e një figure të fortë – një lloj “Bonaparti iranian” – që rivendos rendin përmes nacionalizmit autoritar, ndoshta me mbështetje të jashtme.
A ka shenja dezertimesh brenda regjimit?
Një ndryshim i rëndësishëm politik në Iran do të kërkonte përçarje brenda aparatit të sigurisë. Aktualisht nuk ka prova të besueshme për dezertime të përhapura në Basij apo në Gardën Revolucionare.
Kush ka më shumë gjasa të dalë në krye në luftën e brendshme për pushtet?
Aktorët kryesorë pritet të vijnë nga vetë sistemi, jo nga opozita. Ndër emrat e përmendur shpesh janë Mojtaba Khamenei, djali i udhëheqësit të ndjerë, dhe Ali Larijani, një figurë me përvojë dhe lidhje të forta institucionale.
Balanca mes klerikëve, elitave politike dhe Gardës Revolucionare do të jetë vendimtare, sidomos nëse kjo e fundit zgjedh të ruajë sistemin aktual apo të marrë një rol më të drejtpërdrejtë politik.
Pse mungon mobilizimi i madh popullor kundër regjimit?
Shoqëria iraniane karakterizohet nga një zhgënjim i thellë ndaj regjimit. Vlerësimet sugjerojnë se mbështetja ka rënë ndjeshëm, ndoshta në rreth 10% të popullsisë.
Megjithatë, pakënaqësia nuk përkthehet automatikisht në revolucion. Opozita është e fragmentuar, pa udhëheqje të qartë dhe e shpërndarë gjeografikisht. Për më tepër, në kohë lufte krijohet shpesh efekti i “unitetit rreth flamurit”, që i jep regjimit stabilitet të përkohshëm.
A është popullsia ajo që paguan koston më të madhe?
Si zakonisht në regjime autoritare nën presion, kostot ekonomike dhe humanitare bien kryesisht mbi qytetarët. Kjo rrit pakënaqësinë, por nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të menjëhershëm politik.
Çfarë ndodh me Ngushticën e Hormuzit?
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike globale, ku kalon rreth 20% e naftës botërore. Një bllokim i zgjatur do të dëmtonte jo vetëm tregjet ndërkombëtare, por edhe vetë Iranin, i cili varet nga eksportet energjetike.
A po zhvillon Irani armë bërthamore?
Situata është e ndërmjetme. Irani ka kapacitete teknologjike për të zhvilluar armë bërthamore nëse vendos, por nuk ka prova të qarta se ka marrë vendimin politik përfundimtar për ta bërë këtë.
A mund ta mbajë SHBA një angazhim të gjatë ushtarak?
Mungesa e autorizimit të Kongresit e bën çështjen të ndjeshme politikisht. Mbështetja publike do të varet nga kohëzgjatja dhe kostot e konfliktit.
Sa mund të zgjasë lufta dhe deri ku mund të përshkallëzohet?
Nëse mbetet e kufizuar, lufta mund të zgjasë disa javë ose muaj. Por rreziku i përshkallëzimit është real: përfshirja e Hezbollahut, grupeve të armatosura rajonale dhe bazave perëndimore mund ta shndërrojë konfliktin në një luftë më të gjerë.
Megjithatë, aktorët rajonalë janë të vetëdijshëm për kostot e mëdha të një lufte të tillë, çka krijon edhe një frenim të fortë ndaj përshkallëzimit.
Përgatiti për botim: L.Veizi
