Last Updated on 31/08/2026 by EL
Një nismë e re ligjore e qeverisë për shërbimin social parashikon më pak qendra rezidenciale të përkujdesit në të ardhmen dhe ofrimin e shërbimit në familje e komunitet, duke mos e larguar individin nga mjedisi i jetës së përditshme. Në përputhje me direktivat europiane, projektligji që është në fazën e konsultimit publik synon reduktimin e shtëpive të fëmijës apo azileve të të moshuarve.
“Projektligji synon të krijojë bazën ligjore për një gamë më të gjerë dhe më fleksibël shërbimesh, duke përfshirë forma të mbështetjes në familje dhe komunitet, shërbime të specializuara, tranzitore, lëvizëse, si dhe forma të kujdesit që mundësojnë mbështetjen e individit në mjedisin e tij të zakonshëm të jetesës”.
Më shumë përgjegjësi parashikohen edhe për bashkitë, duke forcuar rolin e qeverisjes vendore në çështjen e përkujdesit social. Masa më të forta vendosen për rastet emergjente. Kur jeta, shëndeti apo siguria e një personi është në rrezik, bashkia duhet të sigurojë mbrojtjen brenda 24 orëve ose mund të referojë rastin.
“Në rastet kur njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon shërbimin e nevojshëm ose nuk ka kapacitete për ofrimin e tij, ajo siguron vendosjen e përfituesit në shërbimin më të afërt të disponueshëm në një njësi tjetër të vetëqeverisjes vendore”.
Ndryshimet prekin edhe financimin. Fondet do të shpërndahen sipas numrit dhe nevojave të përfituesve, nivelit të vulnerabilitetit, largësisë së zonave dhe kostove reale. Kategoritë që plotësojnë kriteret do t’i marrin shërbimet falas./et
