Dy të dashuruarit e statujës së bronztë pranë pallatit të gjendjes civile në Druzhkivka përqafohen fort. Dikur ishin sfondi perfekt për selfie të ushtarëve që vinin aty me vajzat gjatë lejes, një zëvendësim i denjë për monumentin e Leninit të rrëzuar në vitin 2015 nga forcat pro-Kiev.
Më 6 mars, madje edhe Zelensky regjistroi një videomesazh para atyre dy figurave të bronzta. Por tani ushtria e Moskës ndodhet vetëm 30 kilometra larg. Artileria, raketat, dronët me fibra optike godasin në sekonda.
Vetëm 20 ditë kanë kaluar dhe sfondi i dikurshëm për selfie është kthyer në një varrezë pallatesh të shkatërruara.
“Qëndroni të mbrojtur dhe fshihni makinën”, paralajmërojnë tre ushtarë patrulle, të fshehur nën pemë gati të qëllojnë dronët me kallashnikov.
Mykhailo po ha një sanduiç: “Ditët e fundit situata është përkeqësuar shumë…” Dhe nuk arrin ta mbarojë fjalinë, sepse një tjetër goditje artilerie bie disa metra më tutje.
Në treg, Natalia nuk shkon më nga frika. Në fillim të shkurtit, edhe ai u godit me municione. Në orët e pakta pa ndalim qarkullimi, ajo shkon të vizitojë vajzën e saj përtej urës. Por rruga drejt Konstantinivkës është tashmë një aventurë e rrezikshme, e rezervuar vetëm për ata që kanë vendosur të vdesin.
Kjo është ofensiva e pranverës, me Donetskun të reduktuar në një trup që gjakoset ngadalë, një qytet pas tjetrit, një shtëpi pas tjetrës.
Ndërsa “brezi i fortesave”, që mbron portën e Europës nga Putini, po bëhet gjithnjë e më i brishtë.
Burime ukrainase në tryezën e negociatave bilaterale në SHBA thonë se amerikanët po ushtrojnë presion që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni: “Amerikanët nuk shohin si mund të arrihet një marrëveshje. Dhe kjo mund t’i shtyjë të braktisin krejt procesin”.
Në jug brezi lëkundet. Por edhe në veri është në presion. Në Kramatorsk, 82-vjeçarja Tatiana, pothuajse e verbër, pengohet në rrjetën kundër dronëve. Ka humbur burrin, djali i saj është në front. Me vete ka bukë, çantën dhe karrocën për të ecur. Rrëzohet dhe ndot duart. Por Trump-it, thonë, nuk i intereson fati i Tatianës.
Pranë sheshit kryesor, nyja hekurudhore e bastionit, Gennady kërkon një cigare. I dehur, pa punë që kur miniera e tij u mbyll pas bombardimeve. Pas tij, pallati i shkatërruar ku jetonin tre miqtë e tij. Një kurorë lulesh dhe një mbishkrim me spray thotë: “Rusë nuk do të na aneksoni”.
Sipas burimeve, SHBA-të ofrojnë garanci sigurie vetëm nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, siç u vendos në Anchorage nga Trump dhe Putin.
“Lëreni Donbasin dhe do t’ju ndërtojmë një parajsë, siç u ra dakord në Alaskë”, thonë amerikanët.
Në Sloviansk ka më shumë civilë në rrugë se në Kramatorsk. Por ka mbërritur urdhri i evakuimit të detyrueshëm për fëmijët, shenjë që zakonisht paraprin fundin. Ashtu ndodhi në Soledar, pastaj në Bakhmut, Avdivka, Pokrovsk. Tani në Konstantinivka. A është i shkruar edhe fati i Slovianskut?
Megjithatë, fëmijët ende janë aty. Pak, por luajnë në diell. Sheshi Celentano është ende hapur, ndryshe nga Kramatorsku ku është mbyllur.
“Më kanë thirrur të marr djalin. Më thanë të zgjedh një ditë”, thotë Karina, 25 vjeç, nënë e vetme. “Nëse gjej punë, iki. Përndryshe si të bëj?”. Veronika pranë parkut nuk ka dëshirë të flasë: “Kam dëgjuar se duhet të ikim. Por unë besoj se do të rri. Pres”.
Ata që presin, ukrainasit i quajnë jdun, filorusë që nuk duan të largohen. Në veri të Slovianskut nuk ka më askënd që pret. Pranë hekurudhës fryn vetëm era. Nga Lymani, rusët avancojnë.
Sipas ISW (Institute for Study of War): “Është e mundshme që forcat ruse kanë nisur ofensivën e planifikuar për pranverë-verë 2026 kundër Brezit të Fortesave ukrainase, linja kryesore mbrojtëse e Ukrainës në Donetsk. Është e pamundur që rusët ta pushtojnë këtë brez në 2026, por ka gjasa të arrijnë disa suksese taktike me kosto të lartë”.
Me fjalë të tjera: Nëse të sëmurit nuk i jepet më shumë gjak, do të vdesë. A do t’i mjaftojë kjo carit?/mxh
