Publiku sheh paralele mes komplotit të rrëmbimit në filmin “Feels Like Home” dhe sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán
Flora Garamvolgyi, Budapest
Është ora shtatë e mbrëmjes së një të marte dhe një nga kinematë më të njohura të Budapestit është plot – nuk ka asnjë vend bosh. Publiku nuk ka ardhur për një superproduksion të Hollywood-it, por për një film hungarez që mezi ka pasur buxhet për t’u realizuar.
“Feels Like Home” (Itt Érzem Magam Otthon) ka tërhequr shikuesit jo vetëm për shkak të imazheve të tij të fuqishme vizuale, por edhe për kohën e publikimit – pak përpara zgjedhjeve vendimtare parlamentare në Hungari, që do të mbahen më 12 prill.
Thrilleri psikologjik tregon historinë e një shitëseje që rrëmbehet nga një familje që ndjek urdhrat e një figure autoritare, një patriarku të quajtur Papa. Anëtarët e familjes përfitojnë privilegje nëse respektojnë rregullat. Personazhi kryesor, Rita, përpiqet të arratiset, por zbulon se edhe jashtë gjithçka duket sikur i përket kësaj familjeje, ndaj nuk ka kuptim të kërkojë ndihmë.
Regjisori i filmit, Gábor Holtai, thotë se nuk kishte për qëllim të krijonte një metaforë për jetën në Hungari nën drejtimin e Viktor Orbán, por pikërisht kështu është interpretuar filmi në javët e tensionuara të fushatës zgjedhore.
Sipas kritikëve, kryeministri i djathtë Orbán i ka përdorur 16 vitet e fundit për të kapur institucionet e pavarura, për të dobësuar demokracinë dhe për të pasuruar familjen dhe njerëzit e tij besnikë. Megjithatë, ai po përballet me një sfidë të paprecedentë nga një figurë që dikur ishte pjesë e rrethit të tij dhe që më pas u kthye kundër tij: Péter Magyar, lider i partisë së sapokrijuar Tisza.
Në shfaqjen e filmit në lagjen Buda, Bea dhe pothuajse të gjithë miqtë e saj mbajnë në bluzat e tyre logon e partisë Tisza. Ata shohin paralele të drejtpërdrejta mes udhëheqjes politike të Hungarisë dhe personazheve të filmit.
Bea, një shitëse 52-vjeçare, tha:
“Fillimisht u trondita. Për shkak të brutalitetit që tregohet në film. Se si e frikësojnë dikë vazhdimisht derisa ai bën atë që i thonë, derisa e thyejnë. Kur u ktheva në shtëpi e kuptova se jemi ne që e formësojmë fatin tonë: ne jemi anëtarët e tjerë të familjes.”
Holtai thotë se ky interpretim nuk e habit:
“Është një lidhje krejtësisht e natyrshme për shikuesit hungarezë. Nuk e shkruam filmin me këtë qëllim, por sigurisht që e prisnim këtë interpretim, duke pasur parasysh klimën aktuale politike në Hungari.”
Sipas regjisorit, jo vetëm hungarezët e kanë parë filmin si një mesazh politik.
“Ishte interesante të shihje se kur e shfaqëm filmin në vende ku regjimet diktatoriale kanë qenë pjesë e historisë së tyre, publiku menjëherë filloi të pyesë se si e kaluara reflektohet në të tashmen dhe sa e pranishme është ende në jetën e tyre.”
Filmi “Feels Like Home” nuk mori asnjë financim shtetëror dhe pati një buxhet minimal për promovim. Aktorët shpërndanë datat e premierës në rrjetet e tyre sociale dhe filmi u bë i suksesshëm përmes rekomandimeve nga goja në gojë. Shumë nga aktorët e tij janë kritikë të hapur të qeverisë së Orbán, gjë që ndoshta e ka forcuar edhe më shumë nëntekstin politik për publikun.
Aktori që luan rrëmbyesin e Ritës, Áron Molnár, njihet për kritikat e tij të ashpra ndaj qeverisë Orbán në video satirike në Instagram. Ai tallet jo vetëm me politikanët, por edhe me influencerët që përsërisin narrativën e qeverisë.
Molnár pati edhe një përplasje publike me një figurë të lartë të partisë populiste të kryeministrit pasi komentet e tij mbi varësinë e Hungarisë nga energjia ruse shkaktuan reagime të forta.
Alexandra Szentkirályi, presidente e partisë Fidesz në Budapest, shkroi në Facebook:
“Nuk je një aktor mjaftueshëm i mirë për të luajtur rolin e një juristi energjie pa pasur asnjë njohuri për këtë temë. Si mund të biesh kaq poshtë në urrejtjen ndaj vendit dhe popullit tënd?”
Gellért Kovács, kritik i pavarur filmi dhe autor për revistën hungareze NLC, thotë se ka disa arsye për suksesin e filmit:
“Para së gjithash, është një film shumë i mirë dhe, krahasuar me prodhimet e tjera hungareze, është e rrallë të gjesh një film që përmbush standardet e Hollywood-it që publiku pret nga një thriller psikologjik. Por është edhe një alegori e situatës së përhershme në Hungari. Përmes personazheve të tij ai nxjerr në pah disa arketipe.”
Industria e filmit në Hungari ka ndjerë gjithashtu ndikimin e qeverisë së Orbán. Ajo kontrollon Institutin Kombëtar të Filmit (NFI), një institucion që financon kryesisht filma që përputhen me ideologjinë e partisë Fidesz.
Kovács thotë se gjatë tre apo katër viteve të fundit është shfaqur një lloj i ri filmi, “i lindur nga nevoja, dhimbja dhe dëshpërimi”, i realizuar pa subvencione shtetërore.
“Ai i mban një pasqyrë industrisë së filmit të financuar nga NFI. Këta filma janë në gjendje të krijojnë ndikim më të madh se prodhimet me buxhete prej miliardash”, shton ai.
Në kinemanë e Budës, Róbert, 73 vjeç, ishte kthyer për ta parë filmin për herë të dytë brenda një jave.
“Është një film që të bën të mendosh për ditë të tëra. Të mbetet në mendje,” tha ai.
Róbert shtoi se ndihet i zhgënjyer nga klima politike në Hungari:
“Sepse ata arritën ta ndajnë këtë vend; është një situatë e çuditshme. Do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
