Klubi i Tiranës po punon për të zhbllokuar merkaton në FIFA, pasi kishte detyrime të prapambetura ndaj ish-lojtarëve.
Bardheblutë kishin humbur 6 çështje gjyqësore, për të cilat ishte vendosur bllokimi i merkatos për 3 dritare. Në ditët e fundit, klubi ka nisur shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj palëve të përfshira.
Brenda vetëm 3 ditësh, numri i çështjeve të hapura në FIFA ka zbritur nga 6 në vetëm 1. Tirana duhet të mbyllë edhe këtë detyrim për të hequr plotësisht bllokimin dhe për të federuar lojtarët e rinj.
Situata vjen pas ndryshimeve të shumta që klubi ka bërë gjatë verës. Në prag të javës së parë të kampionatit, Tirana ka në dispozicion vetëm 10 lojtarë nga skuadra e sezonit të kaluar.
Për këtë arsye, zhbllokimi i merkatos është i rëndësishëm për formimin e skuadrës para ndeshjes me Egnatian./mxh
