Edicioni i ri i La Ligës nis më 15 gusht, ndërsa Komiteti Teknik i Arbitrave në Spanjë ka marrë vendimet kryesore për rregullat e reja.
Drejtuesit e arbitrazhit vendosën të mos zbatojnë të ashtuquajturin “Ligji Vinicius”, i cili parashikonte karton të kuq për lojtarët që mbulojnë gojën gjatë debateve. Presidenti i këtij komiteti, Fran Soto, sqaroi se një ekip nuk mund të ndëshkohet pa prova të qarta se çfarë është thënë realisht.
Ndërkohë, Spanja i ka kërkuar organizmit IFAB miratimin e një mase strikte për të luftuar humbjen e kohës nga portierët. Sipas propozimit, nëse një portier simulon dëmtim për të vonuar lojën, skuadra e tij do të detyrohet të luajë për një minutë me një lojtar më pak.
Përveç kësaj, udhëzimet e reja parashikojnë që zëvendësimet e futbollistëve të kryhen brenda 10 sekondave. Gjithashtu, lojtarët që marrin ndihmë mjekësore do të qëndrojnë detyrimisht një minutë jashtë fushës së lojës. Sa i përket teknologjisë VAR, është vendosur që ndërhyrjet të bëhen vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe të dukshme./mxh
