Rezistenca ndaj kolonizimit rrallëherë ka qenë e butë. Senatori ngriti pyetje të cilave aborigjenët ende presin t’u marrin përgjigje – pas dy shekujsh.
Nga Celeste Liddle
Lidia Thorpe nuk është nga ata njerëz që i përmbahen politikës së respektit dhe mirësjelljes. Ajo mund të punojë në institucionin më të lartë të kësaj politike, por, siç e ka bërë të qartë që kur hyri për herë të parë në ndërtesën e parlamentit, ajo vjen nga klasa punëtore, ka një formim të rrënjosur në aktivizmin politik dhe është jashtëzakonisht krenare për këto rrënjë modeste, por të fuqishme.
Prandaj, indinjata për faktin se Thorpe e shprehu qëndrimin e saj aktivist gjatë një ceremonie solemne për nder të mbretit Charles nuk është vetëm qesharake, por edhe e pakuptimtë. Kolonat e komenteve moralizuese, me thirrje për t’u «qetësuar dhe për t’u tërhequr», kanë vërshuar diskursin publik. Ironikisht, shumë prej atyre që i kanë shkruar këto komente pretendojnë se janë mbrojtës të lirisë së fjalës. Peter Dutton ka kërkuar sërish dorëheqjen e senatores Thorpe, duke lënë të kuptohet se ajo është hipokrite, pasi qëndron në parlament dhe merr pagën e saj, ndonëse, sipas tij, nuk beson te «sistemi». Edhe disa figura aborigjene i janë bashkuar kësaj vale dënimesh.
Po të besoja, si shumë të tjerë, atë që kam dëgjuar dhe parë që kur Thorpe doli përpara mbretit, do të mendoja se ajo kishte thyer barrikadat, kishte hapur dyert, kishte sulmuar dhe më pas kishte vazhduar ta quante Madhërinë e Tij me çdo epitet të mundshëm. Sigurisht, nuk do ta imagjinoja se ajo, si senatore australiane, kishte marrë pjesë në një ceremoni ku ishte ftuar zyrtarisht, kishte kryer një akt rezistence paqësore duke i kthyer shpinën mbretit ndërsa luhej himni «God Save the King» dhe më pas kishte shprehur disa të vërteta të pakëndshme për Kurorën dhe historinë e këtij vendi.
Megjithatë, pikërisht këtë bëri ajo. Ku ishte gënjeshtra në pohimet se, në emër të kolonizimit, popujve aborigjenë u janë grabitur tokat, u janë marrë eshtrat e të afërmve dhe u janë rrëmbyer fëmijët? Se nuk ka pasur asnjë traktat? Se popujt e parë nuk kanë lidhur kurrë një marrëveshje për t’u bërë pjesë e perandorisë? Se sovraniteti ynë vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite?
Në institucionet kulturore të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Evropës ruhen ende shumë mbetje mortore të aborigjenëve, të marra nga Australia. Në shumë raste, shkencëtarët, antropologët dhe ithtarët e eugjenikës i përdorën ato për të «provuar» inferioritetin e aborigjenëve dhe për të justifikuar kolonizimin. Përpjekjet e bashkërenduara të komuniteteve kanë bërë të mundur riatdhesimin e disa prej këtyre mbetjeve, por numri i tyre ka qenë i madh dhe ende mbetet shumë për t’u bërë.
Që nga fillimi i kolonizimit, aborigjenët dhe banorët e ishujve të Ngushticës së Torresit kanë ndërmarrë vazhdimisht akte rezistence. Ndryshe nga pretendimi se «vrazhdësia» e Thorpe ishte thjesht një dukuri e brezit të saj, e paimagjinueshme në dekadat e mëparshme të aktivizmit, rezistenca e popujve indigjenë nuk ka qenë gjithmonë e butë apo e përmbajtur.
Nuk kishte asgjë të butë në veprimet e Pemulwuy-t, në bastisjet apo në taktikat e luftës guerile. Nuk kishte asgjë të butë as në veprimet e aktivistëve të lëvizjes së udhëtimeve të lirisë (Freedom Rides), të cilët luftonin që fëmijët aborigjenë të kishin qasje në pishinat publike dhe denonconin aparteidin në zonat rurale të Uellsit të Ri Jugor. As ngritja e një çadre plazhi në lëndinat e Parlamentit të Vjetër dhe shpallja e asaj hapësire si Ambasada e Çadrës Aborigjene nuk ishte një akt mirësjelljeje. Nuk më kujtohet që tubimi im i parë, ku mora pjesë si fëmijë gjatë inaugurimit të ndërtesës së re të Parlamentit, të ketë qenë i përmbajtur. Aborigjenët marshonin duke brohoritur: «Të drejtat mbi tokën tani, dreqin me dyqindvjetorin!»
Edhe puna brenda sistemit, në vend të veprimeve të drejtpërdrejta, është e nevojshme. Mabo mund të ketë përdorur metoda më të përmbajtura, por ai shfrytëzoi sistemin ligjor australian të imponuar për të rrëzuar një nga gënjeshtrat juridike më jetëgjata të Australisë. Kur Thorpe bëri betimin e detyrueshëm për marrjen e detyrës, nuk kishte asgjë të butë në mënyrën se si kryesuesi i Senatit e qortoi, pasi ajo vendosi fjalën «kolonizim» përpara fjalës «mbretëreshë». Më pas, ajo e përsëriti betimin me një ton tallës dhe me shqiptime të shtrembëruara qëllimisht, për të nxjerrë në pah absurditetin e ceremonisë.
Vitin e kaluar, Australia tregoi se sa pak e përkushtuar ndaj barazisë dhe sa raciste mbetet ende, kur votuesit refuzuan përfshirjen në Kushtetutë të një zëri këshillimor të popujve indigjenë, ndonëse Kushtetuta vazhdon të përmbajë dispozita me rrënjë raciste. Megjithatë, vetëm 12 muaj më vonë, nga ne pritet të përkulemi përpara figurës mbretërore, në emër të institucionit të së cilës pretendohet se kjo tokë u mor nën zotërim, ndërsa vendi ynë nuk na ofron as një gjest simbolik njohjeje. Sinqerisht, kjo është absurde.
Çështja është e thjeshtë: Kurora mbetet simbol i kolonizimit britanik dhe i shpronësimit të popujve indigjenë. Si mbajtësi i sotëm i kurorës, Charles III përfaqëson nënshtrimin e Australisë ndaj Komonuelthit dhe trashëgiminë e krimit fillestar të pretendimit të rremë terra nullius – sipas të cilit toka nuk i përkiste askujt – që u përdor për të justifikuar marrjen e saj. Kundërshtimi i autoritetit mbretëror ka një histori të gjatë dhe krenare në komunitetet indigjene. Ndoshta, nëse australianët do të angazhoheshin seriozisht në procesin e përballjes me të vërtetën historike, ashtu siç premtoi të bënte qeveria australiane kur mori përsipër të zbatonte plotësisht Deklaratën e Ulurusë, dëgjimi i këtyre të vërtetave nuk do të ishte kaq tronditës.
Për sa i përket kësaj ngjarjeje, një i moshuar aborigjen më tregoi për veprimin e Thorpe-s. Ai e kishte parë drejtpërdrejt transmetimin e lajmeve dhe më telefonoi menjëherë për të më treguar. Në zërin e tij nuk kishte asnjë shenjë turpi, vetëm krenari. Krenari që Thorpe shfrytëzoi rastin për të ngritur pyetje të cilave shumë aborigjenë presin t’u marrin përgjigje prej dy shekujsh. Dhe krenari që përkthyesi i gjuhës australiane të shenjave, Auslan, e pa të arsyeshme të vazhdonte t’ia përcillte mesazhin e Thorpe-s komunitetit të personave të shurdhër në Australi.
Edhe unë e ndaj këtë krenari. Nëse reagimet në rrjetet e mia sociale janë tregues, të njëjtën ndjenjë e ndajnë edhe shumë aborigjenë dhe banorë të ishujve të Ngushticës së Torresit, veçanërisht ata që kanë organizuar protesta gjatë gjithë vizitës mbretërore, protesta të cilave mediat mezi u kanë kushtuar vëmendje. Nëse vendi dëshiron vërtet që kjo situatë të ndryshojë, ndoshta ka ardhur koha që të përballet me çështjet e ngritura nga Thorpe dhe të punojë për t’i ndryshuar gjërat.
*Celeste Liddle është pjesëtare e popullit Arrernte dhe jeton në Melburn. Ajo është shkrimtare e pavarur, komentuese e çështjeve shoqërore dhe aktiviste.
