Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se forcat izraelite kanë eliminuar rreth 350 militantë të Hezbollahut gjatë javës së fundit në Liban.
Në një mbledhje të kabinetit qeveritar, Netanyahu tha se ushtria izraelite ka marrë nën kontroll zonën strategjike të Beaufort Ridge, ku sipas tij është zbuluar një infrastrukturë e gjerë nëntokësore e përdorur nga Hezbollahu.
Ai shtoi se po vazhdon çmontimi i të ashtuquajturave “fshatra terroriste” përgjatë kufirit verior të Izraelit dhe se Hezbollahu po pëson goditje të rënda nga operacionet ushtarake.
“Ne nuk do të lejojmë sulme ndaj territorit tonë apo komuniteteve tona dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat,” deklaroi Netanyahu.
Ndërkohë, në një deklaratë të përbashkët, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftuan se ushtria izraelite ka goditur edhe selinë e Hezbollahut në periferinë jugore të Bejrutit, zonë e njohur si Dahiyeh, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të grupit drejt territorit izraelit.
Situata në kufirin Izrael–Liban mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet mes palëve vijojnë të rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon./mxh
