Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se i është nënshtruar me sukses një trajtimi për kancer në prostatë në fazë të hershme.
Në një deklaratë të publikuar të premten, 76-vjeçari tha se tumori malinj ishte zbuluar gjatë një kontrolli rutinë shëndetësor. Sipas tij, trajtimi i synuar ka eliminuar plotësisht problemin, pa lënë gjurmë të sëmundjes.
Raporti vjetor mjekësor konfirmon se kreu i qeverisë izraelite është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa trajtimi është kryer përmes terapisë me rrezatim. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se kur saktësisht është zhvilluar ndërhyrja.
Netanyahu theksoi se publikimi i raportit ishte shtyrë për rreth dy muaj, për të shmangur, sipas tij, përhapjen e propagandës së rreme nga Irani kundër Izraelit.
Kujtojmë se në muajin mars, gjatë përshkallëzimit të tensioneve me Iran, në rrjetet sociale dhe në mediat shtetërore iraniane qarkulluan zëra se kryeministri izraelit kishte ndërruar jetë. Për t’i hedhur poshtë këto pretendime, Netanyahu publikoi një video nga një kafene në Jerusalem, ku shfaqej në gjendje të mirë shëndetësore./mxh
