Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, deklaroi të martën se Izraeli po godet me forcë regjimin terrorist në Iran, duke shtuar se operacionet ushtarake po intensifikohen çdo ditë.
Netanyahu bëri me dije se pilotët izraelitë kanë shkatërruar avionë transporti dhe dhjetëra helikopterë në një bazë të Forcave Ajrore iraniane. Ai shtoi se sot janë goditur linjat hekurudhore dhe ura të përdorura nga Gardat Revolucionare për transportimin e materialeve për armë, armëve dhe operativëve që sulmojnë Izraelin, SHBA dhe vendet e rajonit, si dhe shtypin popullin iranian.
Kryeministri izraelit theksoi se këto veprime nuk synojnë të dëmtojnë popullin iranian, por kanë për qëllim dobësimin dhe shkatërrimin e regjimit terrorist që i ka shtypur ata për 47 vite.
“Ky nuk është më Irani i njëjtë, as Izraeli i njëjtë. Po ndryshojmë balancën e fuqisë nga një skaj në tjetrin,” tha Netanyahu, duke nënvizuar vendosmërinë e Izraelit për të ndryshuar situatën strategjike në rajon.
Operacionet ushtarake vazhdojnë dhe situata mbetet shumë e tensionuar, ndërsa Izraeli intensifikon goditjet ndaj objektivave ushtarake iraniane./mxh
