Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, që të mohojë një raportim sipas të cilit ai e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të mundshëm të Hamasit përpara 7 tetorit 2023.
Kërkesa, sipas gazetës izraelite Haaretz, është bërë gjatë një takimi sekret të zhvilluar të dielën. Gazeta, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raportoi se Netanyahu i kërkoi bin Zayed-it të mohonte raportimet mbi një bisedë telefonike mes tyre dhe detajet që lidhen me zhvillimet para sulmit të 7 Tetorit, të cilat, sipas burimeve, mund ta vendosnin kryeministrin izraelit në një situatë të vështirë.
Gjatë takimit, Netanyahu i kërkoi gjithashtu presidentit të Emirateve atë që një burim e përshkroi si “mbështetje morale”.
Dy persona të informuar për vizitën thanë se takimi mes Netanyahut dhe bin Zayed-it zgjati rreth një orë. Vizita, megjithatë, nuk ishte konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet izraelite apo ato të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Takimi vjen në një periudhë debatesh të forta lidhur me raportimet për paralajmërimet e inteligjencës që Netanyahu dyshohet se kishte marrë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Të premten, The New York Times raportoi se Netanyahu kishte marrë një paralajmërim konfidencial nga presidenti i Emirateve përpara sulmit të Hamasit, por nuk ua kishte përcjellë atë drejtuesve të shërbimeve të sigurisë izraelite.
Netanyahu ka drejtuar qeverinë izraelite që nga fundi i vitit 2022. Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj tij dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Sipas të dhënave të përmendura në raportim, që nga 8 tetori 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka shkaktuar më shumë se 74 mijë viktima palestineze dhe mbi 175 mijë të plagosur, kryesisht gra dhe fëmijë. Konflikti ka shkaktuar gjithashtu dëme të mëdha në infrastrukturën e territorit./mxh