Bayern Munich ka realizuar një përmbysje spektakolare në transfertë kundër Mainz, në kuadër të javës së 31-të të Bundesligës, duke fituar me rezultatin 3-4.
Skuadra vendase dominoi totalisht pjesën e parë, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin e pastër 3-0 pas golave të Kohr, Nebel dhe Becker.
Megjithatë, në pjesën e dytë, bavarezët reaguan me forcë duke shënuar katër herë radhazi përmes Nicolas Jackson, Michael Olise, Jamal Musiala dhe Harry Kane, për të siguruar fitoren e radhës.
Ky triumf shërben si një paralajmërim i fortë për PSG-në, përpara sfidës së parë gjysmëfinale të Champions League që do të luhet të martën në Paris.
Ndonëse Bayern Munich është shpallur zyrtarisht kampion që fundjavën e kaluar, ata treguan një karakter të lartë sportiv për të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë.
Mainz mbetet në mesin e tabelës, konkretisht në vendin e 10-të, ndërsa diferenca me kampionët e Gjermanisë tashmë ka shkuar në 48 pikë./mxh
