Ndryshimet klimatike nuk po ndryshojnë vetëm temperaturën e ajrit. Një studim i ri ka gjetur se gjatë dy dekadave të fundit kanë ndodhur ndryshime të matshme në disa përbërës të gjakut të njeriut, në të njëjtën periudhë kur përqendrimi i CO₂ në atmosferë është rritur. Ndërkohë, në Shqipëri, një tjetër pasojë e klimës në ndryshim po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shëndetin publik: kushtet që favorizojnë qarkullimin e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat. Ethet e Nilit Perëndimor, me 107 raste të konfirmuara në Shqipëri në vitin 2024 dhe një rast të ri të konfirmuar në Korçë në gusht 2026, tregojnë se lidhja mes klimës dhe shëndetit nuk është më vetëm një çështje e së ardhmes.
Dioksidi i karbonit është një nga treguesit kryesorë të ndryshimit klimatik. Përqendrimi i tij në atmosferë është rritur nga më pak se 340 ppm (pjesë për milionë) në vitin 1980 në mbi 420 ppm në vitin 2025, me një rritje prej më shumë se 2 ppm në vitet e fundit. Rritja e CO₂ është një nga faktorët kryesorë që po nxit ngrohjen globale, por një kërkim i publikuar në Air Quality, Atmosphere & Health po shqyrton një tjetër dimension të kësaj rritjeje: çfarë mund të ndodhë me organizmin e njeriut kur ekspozimi ndaj CO₂ rritet gradualisht për dekada.
Studimi i Alexander N. Larcombe dhe Phil N. Bierwirth përdori të dhëna nga NHANES, një program i madh amerikan që mbledh të dhëna shëndetësore dhe laboratorike të popullsisë. Autorët analizuan nivelet e bikarbonatit, kalciumit dhe fosforit në gjak në periudhën 1999-2020 dhe i krahasuan ato me ndryshimet e CO₂ atmosferik gjatë së njëjtës periudhë. Në të dhënat e analizuara, niveli mesatar i bikarbonatit në gjak u rrit nga rreth 23.8 mEq/L në vitet 1999-2000 në 25.3 mEq/L në vitet 2019-2020, një rritje prej rreth 7%. Në të njëjtën kohë, kalciumi në gjak ra me rreth 2%, ndërsa fosfori me rreth 7%.
Bikarbonati është pjesë e rëndësishme e sistemit që ndihmon trupin të ruajë ekuilibrin acid-bazë. Kur CO₂ rritet në organizëm, ai lidhet me formimin e acidit karbonik dhe bikarbonatit, ndërsa trupi aktivizon mekanizma kompensues, përfshirë edhe rolin e veshkave. Pikërisht kjo marrëdhënie është ajo që studiuesit po e vënë në fokus. Të dhënat tregojnë një prirje të njëkohshme të rritjes së CO₂ atmosferik dhe bikarbonatit në gjak.
Megjithatë autoret theksojnë se kjo gjetje nuk do të thotë se njerëzit po “helmohen” nga CO₂ atmosferik në nivelet aktuale dhe as se ndryshimi klimatik është provuar tashmë si shkak i drejtpërdrejtë i ndryshimeve në gjakun e popullsisë.
Në fakt, ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet është shumë më i gjerë se kjo gjetje. Temperaturat ekstreme, ndotja e ajrit, zjarret, ndryshimet në disponueshmërinë e ujit dhe përhapja e sëmundjeve infektive janë ndër mënyrat përmes të cilave një klimë që ndryshon mund të ndikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi te njerëzit. Në këtë drejtim, një nga shembujt më të rëndësishëm për Shqipërinë është Virusi i Nilit Perëndimor.
Virusi transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe qarkullimi i tij lidhet me një cikël që përfshin mushkonjat dhe zogjtë. Temperatura është një nga faktorët mjedisorë që ndikon në aktivitetin e virusit, pasi ndikon si në shumimin e mushkonjave, ashtu edhe në zhvillimin e virusit brenda vektorit. ECDC thekson se temperaturat mbi normalen gjatë verës janë ndër faktorët që mund të ndikojnë në përhapjen dhe amplifikimin e virusit.
Në korrik 2026, OBSH për Evropën e lidhi gjithashtu rritjen e rasteve të Etheve të Nilit në rajon me ndryshimin e kushteve klimatike, duke vënë në dukje se temperaturat më të larta dhe verat më të gjata u japin mushkonjave më shumë kohë dhe hapësirë për të transmetuar virusin. Kjo nuk do të thotë se klima është faktori i vetëm që përcakton shpërthimet, por tregon se ndryshimi i temperaturave është pjesë e kushteve që mund të ndikojnë në rrezikun e transmetimit.
Shqipëria ka tashmë të dhëna konkrete që e bëjnë këtë çështje veçanërisht të rëndësishme. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor. Të dhënat e ECDC për fundin e sezonit 2024 e vendosnin Shqipërinë ndër vendet evropiane me numër të konsiderueshëm rastesh të transmetuara lokalisht.
Në vitin 2025, numri i rasteve të konfirmuara në Shqipëri ra ndjeshëm, në dy raste, sipas informacionit të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuar në gusht 2026. Por kjo nuk do të thotë se virusi është zhdukur nga vendi. Në dhjetëditëshin e dytë të gushtit 2026 u konfirmua rasti i parë i vitit në qarkun e Korçës. Ministria bëri të ditur se që nga fillimi i vitit ishin testuar 30 mostra nga raste të dyshuara për infeksion me WNV dhe se këto kishin rezultuar negative përpara identifikimit të rastit të ri. Pas konfirmimit, Instituti i Shëndetit Publik vijoi survejancën epidemiologjike dhe hetimin epidemiologjik e entomologjik të rastit.
Prania e rasteve në Shqipëri nuk mund t’i atribuohet vetëm ndryshimit klimatik. Përhapja e Virusit të Nilit Perëndimor varet nga një kombinim faktorësh, përfshirë temperaturën, reshjet, disponueshmërinë e ujit, popullatat e mushkonjave, praninë e zogjve që mbajnë virusin dhe kushtet lokale. Por një klimë më e ngrohtë mund të ndryshojë kushtet në të cilat këta faktorë ndërveprojnë. Kjo është arsyeja pse survejanca klimatike, entomologjike dhe epidemiologjike bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Për Shqipërinë, kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me ndryshimet që janë vërejtur në klimën e vendit. Temperaturat janë rritur gjatë dekadave të fundit dhe periudhat e nxehta janë bërë më të zakonshme. Njëkohësisht, ndryshimet në shpërndarjen e reshjeve mund të krijojnë kushte të ndryshme për ujërat e grumbulluara dhe habitatet e mushkonjave. Këto ndryshime nuk nënkuptojnë automatikisht më shumë raste të Etheve të Nilit, por mund të ndikojnë në kushtet ekologjike që favorizojnë transmetimin e tij.
Në këtë kuptim, shëndeti duhet të bëhet pjesë e diskutimit për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Monitorimi i temperaturave dhe reshjeve nuk mjafton i vetëm; ai duhet të lidhet me survejancën e vektorëve, sëmundjeve infektive dhe rreziqeve të tjera shëndetësore që mund të ndryshojnë bashkë me klimën.
Studimi mbi CO₂ dhe përbërjen e gjakut nuk jep ende një përgjigje përfundimtare mbi atë se çfarë do të ndodhë me shëndetin e njeriut në dekadat e ardhshme. Por ai shton një tjetër element në një tablo që po bëhet gjithnjë e më e qartë: ndikimet shëndetësore të ndryshimeve klimatike nuk kufizohen te valët e të nxehtit apo te pasojat e menjëhershme të ngjarjeve ekstreme. Ato mund të shfaqen edhe përmes ndryshimeve më graduale në organizëm dhe në marrëdhënien mes klimës, ekosistemeve dhe sëmundjeve./ad
