Last Updated on 23/10/2026 by Anisa
Më 23 tetor 1871 lindi Gjergj Fishta, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe autori i kryeveprës epike “Lahuta e Malcis”, vepër që i dha zë historisë, qëndresës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Por historia e poetit kombëtar mbart edhe një nga kapitujt më të dhimbshëm të kujtesës sonë.
Në vitin 1967, në klimën e luftës ideologjike të regjimit komunist kundër klerit dhe trashëgimisë fetare, eshtrat e Fishtës u nxorën nga varri dhe, sipas rrëfimeve historike, u hodhën në lumin Kir. Një poet që kishte shkruar për kombin dhe historinë e tij u bë objekt i përndjekjes edhe pas vdekjes.
155 vjet pas lindjes së tij, emri dhe vepra e Fishtës rikthehen në vëmendje përmes një tjetër akti që ka ngjallur reagime: dëmtimit të monumentit kushtuar “Lahutës së Malcis” në Lezhë.
Nga dhunimi i kujtesës së poetit gjatë komunizmit te shkatërrimi i një simboli që përfaqëson veprën e tij, historia duket se na përball sërish me të njëjtën pyetje: Pse trashëgimia kulturore dhe figurat që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare vazhdojnë të bëhen objekt i urrejtjes dhe i shkatërrimit?
Gjergj Fishta nuk është vetëm emri i një poeti. Ai është pjesë e kujtesës letrare dhe kulturore të Shqipërisë. “Lahuta e Malcis” mbetet një prej veprave më të njohura të letërsisë sonë, ndërsa dëmtimi i monumentit që e përkujton nuk është thjesht një çështje dëmi material, por edhe një goditje ndaj trashëgimisë që duhet t’u përcillet brezave.
Eshtrat e poetit u zhdukën, por vepra e tij mbeti. Monumentet mund të dëmtohen, por kujtesa nuk duhet të fshihet./ad
