Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka anuluar të gjitha aktivitetet e tij elektorale të planifikuara për këtë të premte, pas një sulmi me armë zjarri në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku mbetën të plagosur pesë izraelitë, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike. Dy palestinezë, të dyshuar si autorë të sulmit, u vranë nga forcat izraelite gjatë ndërhyrjes së ushtrisë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë qytetit të Hebronit, vetëm katër ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit në Izrael, duke shtuar tensionet në një rajon që prej kohësh përballet me përshkallëzim të dhunës.
Partia Likud e Netanyahut njoftoi se kryeministri kishte urdhëruar anulimin e të gjitha aktiviteteve politike të mëngjesit, menjëherë pas marrjes së informacionit për sulmin. Sipas ushtrisë izraelite, dy persona të armatosur hapën zjarr pranë kryqëzimit Judea, në Rrugën 35, ndërsa ushtarët izraelitë iu kundërpërgjigjën me armë, duke vrarë të dy sulmuesit e dyshuar. “Pas një sulmi me armë në kalimin Judea, ushtarët neutralizuan dy terroristë”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Shërbimi izraelit i emergjencës, Magen David Adom, konfirmoi se pesë persona mbetën të plagosur, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje kritike. Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë praninë e forcave të shumta ushtarake izraelite, ndërsa një trup i pajetë shihet në afërsi të një pike karburanti. Sipas raportimeve, shkëmbimi i zjarrit zgjati mbi 20 minuta, përpara se forcat izraelite të vrisnin dy palestinezët e dyshuar si autorë. Sulmi ka shkaktuar reagime të ashpra edhe në qeverinë izraelite. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka kërkuar shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, duke paralajmëruar se Bregu Perëndimor mund të kthehet në një tjetër front lufte.
“Nuk duhet të presim derisa të ketë një 7 tetor në Bregun Perëndimor. Atje do të shpërthejë lufta e ardhshme”, deklaroi Ben-Gvir. Ai shtoi se Autoriteti Palestinez duhet të shpërbëhet dhe të çmilitarizohet. Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të forta mes izraelitëve dhe palestinezëve. Bregu Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, është përballur me një rritje të ndjeshme të dhunës pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës që pasoi në Rripin e Gazës.
Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në të dhënat e Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, të paktën 1,113 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që prej tetorit 2023, shumica nga zjarri i forcave izraelite. Sipas të dhënave të OKB-së, 37 prej tyre janë vrarë nga kolonët izraelitë. Gjatë së njëjtës periudhë, të paktën 49 izraelitë kanë humbur jetën, kryesisht nga sulmet palestineze, por edhe gjatë operacioneve ushtarake izraelite./k.m
Shooting Attack near Hebron, West Bank:
– 6 Israelis injured, with 2 considered to be “critical”
– 2 attackers, both killed.
– shootout between police and attackers lasted 20+ minutes. https://t.co/LzjhBhITef
— Brian’s Breaking News and Intel (@intelFromBrian) October 23, 2026
