Last Updated on 17/10/2026 by EL
Nga Klevis Bakillari
Kur historia e tranzicionit tonë gjysëmshekullorë të shkruhet me ftohtësinë e kohës , një nga kapitujt më dramatikë do të jetë ai i raporteve simbiotike dhe shkatërruese mes partive politike dhe vetë vendit.
Çdo marrëdhënie politike në Shqipëri nis me një premtim dashurie të madhe. Partia Socialiste, ashtu si paraardhësit apo rivalët e saj, erdhi në pushtet me tregimin e madh të Rilindjes, të dashurisë për shtetin, për ligjin, për modernizimin dhe për Europën. Ky ishte përqafimi i parë: një premtim për përkujdesje, për shërim të plagëve të vjetra dhe për një epokë të re progresiste.
Por, çfarë ndodhi kur dashuria për pushtetin u transformua në një obsesion për zotërim absolut?
Në këtë pikë, përqafimi institucional u kthye në një shtrëngim mbytës. Partia Socialiste e neutralizuar prej dominimit të Kryetarit, nisi ta identifikojë veten me shtetin dhe fatet e tij, prandaj vija ndarëse mes interesit publik dhe atij elektoral u zhduk. Shqipëria filloi të përpëlitet nën peshën e këtij dominimi. “Përgjakja” që ka nisur nuk është domosdoshmërisht fizike; ajo është institucionale, morale dhe sociale. Janë institucionet e pavarura që humbën gjakun e tyre – autonominë; është rinia që braktisi vendin duke lënë pas një plagë demografike; dhe është besimi te drejtësia që zvenitet nën lojërat e pushtetit.
Dëshira e shfrenuar për të mbajtur me çdo kusht nën kontroll trupin e Shqipërisë, edhe nëse ky shtrëngim e dëmton atë, është një përqafim barbar që PS po ia bënë Shqipërisë. Është një dashuri posesive që nuk pranon kritikë, që e sheh opozitarizmin apo zërin e lirë si tradhti dhe që beson se pa të, vendi nuk mund të ekzistojë.
Në këtë përplasje pasionesh të rrezikshme politike, Shqipëria mbetet pengu i madh. Historia na ka treguar se sa herë që partitë janë rritur aq shumë sa të mos bëjnë më dallimin mes zyrave të tyre dhe kufijve të Republikës, çmimi që paguhet është i lartë. Ky shkrim është një thirrje për reflektim: përqafimi i vërtetë që i duhet Shqipërisë nuk është ai i një partie që e konsideron atë pronë, por ai i ligjit, i lirisë dhe i qytetarisë që nuk pranon të bëhet viktimë e asnjë “dashurie” barbare.
