Një tjetër emër me origjinë shqiptare po bën hapa të rëndësishëm në industrinë amerikane të filmit. Aktori, skenaristi dhe regjisori Nickola Shreli do t’i bashkohet kastit të sezonit të pestë të serialit “Tulsa King”, ku interpreton edhe ylli i Hollywood-it, Sylvester Stallone.
Sipas raportimeve të mediave amerikane të specializuara në industrinë e argëtimit, Shreli është mes aktorëve që do të bëhen pjesë e kapitullit të ardhshëm të serialit, duke shënuar një tjetër arritje në rrugëtimin e tij profesional.
I lindur dhe rritur në Detroit, në një familje shqiptare, Shreli ka krijuar profilin e tij në kinemanë amerikane përmes roleve të ndryshme, por edhe punës pas kamerave si skenarist dhe regjisor.
Një nga projektet që e ka bërë më të njohur është filmi “Cash Only”, për të cilin shkroi skenarin dhe interpretoi personazhin kryesor. Në karrierën e tij përfshihen gjithashtu produksione si “Power Book IV: Force”, “Killerman”, “Low Winter Sun”, “The Red Road” dhe “Abduction”.
Krahas angazhimeve si aktor, shqiptaro-amerikani vijon të punojë edhe në projekte personale përmes kompanisë së tij të produksionit, Nickname Projects.
Pjesëmarrja në “Tulsa King” përbën një mundësi të re për Shrelin që të zgjerojë praninë e tij në televizionin amerikan, këtë herë në një produksion ku në qendër të kastit është një prej figurave më ikonike të kinemasë botërore, Sylvester Stallone./mxh
