Last Updated on 31/10/2026 by EL
Një ngarkesë me 32 lëkura pitoni, e nisur nga Indonezia me destinacion Shqipërinë, është zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet doganore gjermane në aeroportin Leipzig/Halle.
Sipas mediave gjermane, ngarkesa u zbulua falë një qeni të specializuar për identifikimin e produkteve të kafshëve të egra, i cili sinjalizoi pakon gjatë kontrollit të premten në mbrëmje.
Në dokumentet shoqëruese deklarohej se paketa peshonte 13 kilogramë, kishte një vlerë prej vetëm 160 dollarësh dhe përmbante një xhaketë mode dhe pëlhurë batik.
Por gjatë hapjes së saj, doganierët gjetën 32 lëkura pitoni me gjatësi nga 3.4 deri në 4.5 metra, të ngjyrosura në blu, të kuqe dhe të zezë, si dhe katër copa pëlhure.
Autoritetet sekuestruan të gjithë ngarkesën, pasi tregtia ndërkombëtare e produkteve të këtyre specieve është e kufizuar dhe kërkon dokumentacion të posaçëm.
Agjencia Federale Gjermane për Mbrojtjen e Natyrës do të shqyrtojë rastin dhe do të vendosë nëse ka vend për ndjekje penale./et
