Nga Leonard Veizi
Historia njeh çaste kur e mira nuk mungon, por mbetet pa zë. Kur arsyeja është ende e pranishme, por nuk arrin të dëgjohet mes brohoritjeve frenetike të turmës. Kur njerëz të ditur, shkencëtarë, shkrimtarë dhe mendimtarë e kuptojnë se shoqëria po shkon drejt katastrofës, por fjalët e tyre nuk kanë më fuqinë të ndalin marshimin e historisë….
…Një prej këtyre çasteve u shënua më 16 nëntor 1914, në Gjermani, në muajt e parë të Luftës së Parë Botërore. Në një atmosferë të mbushur me nacionalizëm, entuziazëm ushtarak dhe bindjen se lufta ishte një detyrë patriotike, një grup i vogël intelektualësh vendosi të kundërshtonte frymën sunduese të kohës. Ata themeluan organizatën “Bund Neues Vaterland”, ose Lidhja e Re e Atdheut.
Nisma drejtohej nga mjeku Georg Nikolai, një intelektual që refuzonte ta shihte patriotizmin si bindje të verbër ndaj luftës. Ndër mbështetësit më të rëndësishëm të tij ishte miku dhe kolegu, fizikanti i shquar Albert Ajnshtajn.
Në të vërtetë, përplasja e tyre me frymën militariste gjermane kishte nisur pak më herët. Në tetor të vitit 1914, një grup prej 93 intelektualësh të njohur gjermanë kishte nënshkruar një deklaratë që hyri në histori si “Manifesti i të 93-ve”, ku mbrohej qëndrimi i Gjermanisë në luftë dhe kundërshtoheshin akuzat ndërkombëtare ndaj saj. Mes firmëtarëve gjendeshin emra të njohur të shkencës dhe kulturës, si fizikanti Maks Plank, piktori Maks Liberman dhe shkrimtari Gerhart Hauptman.
Ishte një çast domethënës: një pjesë e elitës intelektuale gjermane kishte zgjedhur të rreshtohej pas nacionalizmit dhe të justifikonte luftën, ndërsa një pakicë tjetër përpiqej të ruante një qëndrim kritik, duke mos lejuar që patriotizmi të shndërrohej në një licencë morale për dhunën.
Nikolai dhe Ajnshtajni hartuan një kundërmanifest pacifist. Por zëri i tyre nuk gjeti mbështetjen që shpresonin. Në një shoqëri të përfshirë nga ethet e luftës, thirrjet për paqe dukeshin të papërshtatshme, madje për disa edhe si shenjë dobësie apo mungese besnikërie ndaj atdheut.
Për këtë arsye, ata i përqendruan përpjekjet te Lidhja e Re e Atdheut. Kërkesa e tyre ishte e qartë: përfundimi sa më i shpejtë i Luftës së Parë Botërore, vendosja e një paqeje të drejtë, pa aneksime territoriale, dhe krijimi i një organizate ndërkombëtare që do të kishte si mision parandalimin e konflikteve të ardhshme.
Nuk kërkonin fitoren e njërës palë mbi tjetrën. Kërkonin që lufta të mos vazhdonte të prodhonte viktima në emër të interesave politike dhe ambicieve territoriale.
Sipas doktoreshës Franciska Baumgartner-Tramer, e cila mori pjesë në disa prej mbledhjeve të organizatës, Ajnshtajni fliste me pesimizëm të thellë për të ardhmen e marrëdhënieve njerëzore. Ai shihte me shqetësim mënyrën se si urrejtja, nacionalizmi dhe bindja ndaj autoritetit po e shtynin shoqërinë drejt një katastrofe që dukej gjithnjë e më e vështirë për t’u shmangur.
Në korrik të vitit 1915, Lidhja publikoi një tjetër deklaratë, këtë herë të nënshkruar nga 91 intelektualë të shquar gjermanë. Dokumenti kundërshtonte aneksimet territoriale dhe kërkonte një paqe kompromisi. Ishte një përpjekje për t’i kujtuar opinionit publik se edhe në kohë lufte ekziston një përgjegjësi morale që nuk mund të pezullohet.
Por autoritetet gjermane nuk e pritën mirë këtë veprim. Zyrat e organizatës u bastisën, ndërsa anëtarëve iu ndalua të botonin dokumente të tjera dhe madje të takoheshin me njëri-tjetrin. Pacifizmi, në kushtet e një shteti të mobilizuar për luftë, ishte shndërruar në një qëndrim të padëshiruar politik.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Lidhja u riorganizua dhe në vitin 1922 mori emrin Lidhja Gjermane për të Drejtat e Njeriut.
Një shekull më vonë, kjo ngjarje mbetet më shumë se një episod i historisë së pacifizmit. Ajo është një dëshmi për mënyrën se si funksionon ndërgjegjja njerëzore kur vihet përballë pushtetit, propagandës dhe psikologjisë së turmës.
Ka momente kur e mira nuk mposhtet sepse është e gabuar, por sepse është e vetmuar. Nuk mjafton të kesh të drejtë; duhet edhe të kesh mundësinë të dëgjohesh. Në Gjermaninë e vitit 1914, një pjesë e madhe e elitës intelektuale e pa patriotizmin përmes prizmit të luftës dhe zgjodhi të justifikonte atë që po ndodhte. Të tjerë, si Nikolai dhe Ajnshtajni, u përpoqën të mbronin një të vërtetë më të vështirë: dashuria për atdheun nuk kërkon medoemos urrejtjen ndaj të tjerëve.
Kjo është një nga paradokset më të hidhura të historisë. E mira mund të jetë e pranishme, por të mos ketë forcën të veprojë. Ndërsa e keqja, kur gjen terrenin e përshtatshëm te frika, propaganda, bindja dhe ambicia, nuk ka nevojë të bindë të gjithë. I mjafton të marrë kontrollin e institucioneve, të heshtë kundërshtarët dhe ta paraqesë dhunën si detyrë.
Dhe kur kjo ndodh, heshtja e shumicës bëhet shpesh aleatja më e dobishme e së keqes.
Lidhja e Re e Atdheut nuk e ndali Luftën e Parë Botërore. Por historia nuk matet vetëm me rezultatet e menjëhershme. Ndonjëherë, rëndësia e një qëndrimi qëndron te fakti se dikush pati guximin të mos pajtohej, pikërisht atëherë kur mospajtimi kishte çmimin më të lartë.
Sepse ka çaste në histori kur të mos bësh pjesë në turmë është forma më e lartë e patriotizmit.
