Nga Leonard Veizi
Më 8 tetor 1967, në malet e Bolivisë, përfundoi aventura guerile e Ernesto Guevara-s. Të nesërmen, më 9 tetor, në fshatin La Higuera, mjeku argjentinas që kishte zgjedhur rrugën e revolucionit të armatosur u ekzekutua. Ishte 39 vjeç, jo 30 siç raportohet shpesh gabim.
Në atë dhomë të vogël të shkollës së fshatit mori fund jeta e tij. Por pikërisht aty nisi historia e simbolit.
Nga mjekësia te revolucioni
Ernesto Guevara de la Serna lindi më 14 qershor 1928 në Rosario të Argjentinës. U diplomua për mjekësi në Buenos Aires, por dy udhëtime të gjata nëpër Amerikën Latine në fillim të viteve ’50 e larguan nga profesioni. Kontaktet me varfërinë, pabarazinë dhe krizat politike ndikuan në formimin e bindjeve të tij radikale.
Në Meksikë, në vitin 1955, u takua me Fidel Kastron dhe iu bashkua grupit që po përgatitej për zbarkimin në Kubë. Nga mjek i ekspeditës së Granma-s, u shndërrua në një nga komandantët e forcave rebele në Sierra Maestra.
Më 1 janar 1959, regjimi i Fulgencio Batistës u rrëzua.
Pas fitores, Guevara mori poste të rëndësishme në shtetin e ri: president i Bankës Kombëtare dhe më pas ministër i Industrisë. Ishte një nga figurat më publike të revolucionit kuban, i njohur për linjën e tij të ashpër.
Por qëndrimi i tij ndaj revolucionit si proces i përhershëm binte ndesh me nevojën e shtetit për konsolidim. Në prill 1965, i dërgoi një letër lamtumire Kastrós dhe u tërhoq nga jeta publike.
Afrika, pastaj Bolivia
Përpjekja e parë jashtë Kubës ishte në Kongo, në vitin 1965. Guevara shkoi për të mbështetur kryengritësit pro-Lumumba. Misioni dështoi për shkak të organizimit të dobët, ndasive të brendshme dhe kushteve në terren.
U kthye fshehurazi në Kubë dhe nisi përgatitjet për operacionin tjetër: Bolivia.
Në nëntor 1966 hyri në Bolivi me dokumente false, si ekonomisti uruguajan Adolfo Mena González, pa mjekër dhe me pamje të ndryshuar. Emri i luftës ishte Ramón.
Ideja bazohej në teorinë e focos: një vatër e vogël guerile që do të shërbente si shembull dhe do të tërhiqte popullsinë në kryengritje, e cila më pas do të shtrihej në vende të tjera të Amerikës së Jugut. Bolivia u zgjodh për pozicionin e saj qendror në kontinent.
Por kushtet ishin krejt ndryshe nga Kuba.
Një guerile pa mbështetje
Baza u vendos në rajonin e Ñancahuazú-së, në juglindje të vendit. Terren i thatë, malor, me komunikim të vështirë dhe me pak banorë.
Mbështetja që pritej nuk erdhi. Fshatarët vendas, kryesisht quechua-folës, nuk iu bashkuan grupit. Partia Komuniste e Bolivisë nuk e mbështeti operacionin. Grupi mbeti i izoluar, me mungesa ushqimi, ilaçesh dhe me probleme shëndetësore, përfshirë astmën kronike të Guevarës.
Në ditarin e mbajtur gjatë atyre muajve, që u botua më vonë si Ditari Bolivian, ai shënoi përkeqësimin e situatës, rënien e numrit të luftëtarëve dhe vështirësitë e lëvizjes.
Ndërkohë, ushtria boliviane, e trajnuar dhe e pajisur me ndihmën amerikane, ngushtoi rrethimin. Në terren ndodheshin këshilltarë amerikanë, mes tyre agjentë të CIA-s, si kubano-amerikani Felix Rodriguez. Dokumente të deklasifikuara më vonë treguan përfshirjen e tyre në operacionin e kërkimit.
8 tetori
Më 8 tetor 1967, në përroin e Quebrada del Yuro, grupi i mbetur u rrethua nga batalioni i Rangers. Guevara u plagos në këmbë. Arma i doli jashtë përdorimit. U kap i gjallë dhe u dërgua në La Higuera, ku u mbyll në shkollën e fshatit.
Aty u mor në pyetje. Feliks Rodriguez ishte ndër personat që folën me të. Sipas dokumenteve amerikane, Uashingtoni kërkonte që ai të mbahej gjallë për t’u marrë në pyetje, ndërsa vendimi për ekzekutimin u mor nga komanda e lartë ushtarake boliviane në La Paz.
Orët në La Higuera janë dokumentuar me versione të ndryshme. Një pjesë e dëshmive të mëvonshme ka marrë karakter legjende, përfshirë fjalët e fundit që i atribuohen Guevarës përballë ekzekutuesve. Ka disa variante të kësaj fraze dhe asnjëra nuk është konfirmuar me dokument.
9 tetori
Më 9 tetor 1967, rreth orës 13:10, me urdhër të ardhur nga Vallegrande, rreshteri Mario Terán hyri në dhomën ku mbahej Guevara dhe e qëlloi për vdekje.
Trupi u transportua me helikopter në Vallegrande. U ekspozua në lavanterinë e spitalit Señor de Malta për t’u fotografuar dhe për t’u identifikuar. Pamjet u shpërndanë nga agjencitë ndërkombëtare.
Për të siguruar identifikimin, autoritetet boliviane urdhëruan prerjen e duarve, të cilat u ruajtën. Trupi më pas u varros fshehurazi në një varr pa shenja, pranë pistës së aeroportit të Vallegrandes. Për gati 30 vjet vendndodhja mbeti sekret.
Një varr pa emër
Në vitin 1997, pas dëshmive të reja, përfshirë ato të ish-ushtarakëve bolivianë, një ekip kërkimor kubano-argjentinas gjeti eshtrat pranë Vallegrandes. Pas identifikimit, ato u dërguan në Kubë dhe u vendosën në Memorialin e Santa Clara-s, qyteti ku Guevara kishte drejtuar betejën vendimtare të dhjetorit 1958.
Njeriu dhe imazhi
Ushtarakisht, operacioni në Bolivi ishte dështim. Teoria e focos nuk funksionoi, revolucioni kontinental nuk ndodhi dhe grupi u asgjësua.
Por pas vdekjes, figura e Guevarës mori një dimension tjetër.
Fotografia e bërë nga Alberto Korda më 5 mars 1960 në Havana, gjatë një ceremonie përkujtimore, e njohur si Guerrillero Heroico, ishte bërë tashmë e njohur. Pas vitit 1967, ajo u riprodhua masivisht në postera, revista dhe botime të ndryshme.
Imazhi e shkëputi figurën nga konteksti konkret i dështimit në Bolivi dhe nga bilanci i diskutueshëm i revolucionit kuban, përfshirë edhe rolin e tij në ekzekutime dhe në politikat represive të viteve të para pas vitit 1959.
Nga një komandant i vrarë në një shkollë fshati, Guevara u shndërrua në një simbol grafik, i përdorur në kontekste shumë të ndryshme politike dhe kulturore.
9 tetori 1967 shënoi fundin e tij si guerilas, por jo fundin e debatit për të.
