Nga Leonard Veizi
Më 5 nëntor 1937, në Kancelarinë e Rajhut, Adolf Hitleri mblodhi drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të Gjermanisë. Nuk i mblodhi për të diskutuar politikë por për t’u komunikuar një vendim: Gjermania do të zgjerohej me forcë.
Takimi, i regjistruar në dokumentin e njohur si “Memorandumi Hosbah”, është prova më e hershme e shkruar se Lufta e Dytë Botërore nuk ishte aksident, as reagim, as vetëmbrojtje. Ishte projekt.
Në qendër të tij qëndronte Lebensraum, ose i ardhur në shqip si “hapësira jetësore”. Në propagandën naziste, kjo paraqitej si nevojë natyrore: populli gjerman, gjoja i ngjeshur dhe i uritur për tokë, kishte nevojë për territore, burime dhe toka bujqësore për të mbijetuar. Gjuha ishte biologjike, qëllimisht. E bënte pushtimin të dukej si ligj natyre, jo si zgjedhje politike.
Por Memorandumi e zhvesh këtë mashtrim. Ajo që Hitleri shpjegonte nuk ishte demografi, as ekonomi. Ishte hierarki racore e kthyer në strategji shtetërore: gjermanët, të shpallur racë superiore, kishin të drejtë të sundonin. Popujt e tjerë, veçanërisht në Evropën Lindore, nuk kishin të drejtë as mbi tokën, as mbi jetën e tyre. Fati i tyre, në këtë vizion, ishte zhvendosja, skllavërimi ose shfarosja, për t’u hapur vend kolonëve gjermanë.
Lebensraum nuk lindi me Hitlerin. Ai qarkullonte prej kohësh në nacionalizmin gjerman. Dallimi është thelbësor: Hitleri nuk e trashëgoi si ide, e armatosi si doktrinë. E shkriu me racizmin dhe antisemitizmin dhe e bëri kusht të ekzistencës së Rajhut: ose Gjermania do të pushtonte, ose, sipas tij, do të zhdukej. Kjo nuk ishte analizë. Ishte ultimatum ideologjik për të justifikuar agresionin.
Prandaj në atë takim nuk u diskutua nëse do të kishte luftë, por kur dhe ku do të fillonte. Austria dhe Çekosllovakia u përmendën hapur si hapat e parë. Polonia, dhe pas saj lufta shfarosëse në Lindje, ishin vazhdimi logjik i të njëjtit plan, jo devijim prej tij.
Në sallë ishin ministri i Luftës Verner fon Blomberg, komandanti i ushtrisë tokësore Verner fon Friç, komandanti i marinës Erik Reder, ministri i Jashtëm Konstantin fon Nojrat dhe Herman Gering. Shënimet i mbajti adjutanti i Hitlerit, koloneli Fridrih Hosbah, nga i cili dokumenti mori emrin. Hitleri caktoi edhe një afat: Gjermania duhej të vepronte më së voni në vitet 1943-1945, para se epërsia e saj ushtarake të zbehej. Blombergu, Friçi dhe Nojrati shprehën rezerva, jo për moralin e planit, por për rrezikun e një lufte të parakohshme me Francën dhe Britaninë. Brenda pak muajsh, të tre u larguan nga postet e tyre. Memorandumi, i paraqitur më vonë si provë në Gjyqin e Nurembergut, mbeti dëshmia se agresioni ishte vendosur vite para se të niste.
Në thelb, Lebensraum ishte një përmbysje morale e paraqitur si domosdoshmëri historike: grabitja u quajt e drejtë natyrore, agresioni u quajt vetëmbrojtje, shfarosja u quajt rend.
Hitleri nuk kërkonte hapësirë për të shpëtuar Gjermaninë nga katastrofa. Ai kërkonte të ndërtonte një perandori racore mbi mohimin e së drejtës së popujve të tjerë për tokë, jetë dhe të ardhme. Memorandumi Hosbah na detyron ta lexojmë atë që pasoi jo si rrjedhë ngjarjesh, por si zbatim të një krimi të paralajmëruar.
