Më 24 korrik 1901 shkrimtari amerikan lirohet nga burgu
Nga Leonard Veizi
Më 24 korrik 1901, një burrë doli nga portat e burgut federal të Ohajos, në Kolumbus. Kishte kryer tre vjet e tre muaj nga një dënim prej pesë vitesh për përvetësim fondesh. Askush atë ditë nuk mund ta parashikonte se emri i tij do të bëhej një nga më të njohurit në letërsinë amerikane. Quhej Uiliam Sidnei Porter, por bota do ta njihte si O. Henry – mjeshtri i madh i tregimit të shkurtër, autori i kthesave të papritura të fatit dhe i njerëzve të zakonshëm me dhimbjet, ëndrrat dhe ironitë e tyre.
Uiliam Sidnei Porter lindi më 11 shtator 1862 në Grinsboro, Karolina e Veriut. Jeta e tij e hershme nuk ishte ajo e shkrimtarit të salloneve letrare. Punoi si farmacist, nëpunës, gazetar dhe ilustrues. Në fund të shekullit XIX u zhvendos në Teksas, ku u përfshi në botën e gazetarisë dhe më pas punoi si arkëtar në First National Bank të Ostit.
Ishte puna në bankë ajo që do t’i ndryshonte jetën. Në vitin 1894, auditorët zbuluan mungesa në llogari dhe ai u akuzua për përvetësim fondesh. Rasti mbeti i diskutueshëm ndër vite, pasi vetë Porter mohoi mashtrimin dhe banka kishte parregullsi në administrim. Përballë mundësisë së një dënimi të rëndë, në vitin 1896 u largua jashtë Shteteve të Bashkuara, duke jetuar në Honduras dhe më pas në Amerikën Qendrore.
Kur u kthye në vitin 1897 për t’u kujdesur për gruan e sëmurë, e cila po vdiste nga tuberkulozi, u arrestua dhe në vitin 1898 u dërgua në burgun federal të Ohajos. Pikërisht aty ndodhi kthesa më e çuditshme e fatit të tij.
Në burg, Porter nisi të shkruante tregime për të siguruar para për vajzën e tij, Margaretën. Për të fshehur identitetin nga lexuesit dhe botuesit, përdori pseudonimin O. Henry. Origjina e këtij emri mbetet ende objekt diskutimi, por me të ai krijoi një nga firmat më të njohura të letërsisë botërore.
Pas lirimit, u vendos në Nju-Jork, qytetin që do të bëhej skena e shumë prej tregimeve të tij. Atje shkroi qindra tregime të shkurtra, duke u bërë figurë qendrore e letërsisë amerikane të fillimit të shekullit XX. Stili i tij u karakterizua nga fundet befasuese, humori i hollë dhe një ndjeshmëri e veçantë ndaj njerëzve të varfër, të vetmuar dhe ëndërrimtarë.
Ndër tregimet e tij më të famshme janë “he Gift of the Magi” që vjen në shqip “Dhurata e Magëve”, historia prekëse e një çifti të varfër që sakrifikon gjënë më të çmuar për t’i bërë një dhuratë njëri-tjetrit, “Polici dhe himni” apo në orgjinal “The Cop and the Anthem” dhe shumë të tjera që e kthyen emrin O. Henry në sinonim të artit të tregimit të shkurtër.
Por, pavarësisht famës letrare, një hije vazhdoi ta ndiqte. Në biografinë e tij mbeti shënimi se kishte qenë i dënuar për krim financiar. Dhe këtu qëndron mësimi më i madh i kësaj historie për Lirinë dhe Demokracinë.
Një shoqëri e lirë nuk matet vetëm nga mënyra se si dënon, por nga mënyra se si jep mundësinë e dytë. Shteti që e dënoi Porterin ishte i njëjti shtet që i lejoi, pas shlyerjes së dënimit, të botojë, të fitojë lirinë ekonomike me penë dhe të bëhet zëri i atyre që Demokracia shpesh i harron – kamarierëve, nëpunësve, të pastrehëve të Nju-Jorkut. Kjo është forca e një sistemi të hapur: ai nuk e përcakton njeriun vetëm nga gabimi më i madh.
Pa të drejtën për shpengim, drejtësia kthehet në hakmarrje të përjetshme dhe Liria mbetet vetëm një fjalë në Kodin Penal.
Përpjekje për t’i dhënë një falje pas vdekjes u bënë në periudha të ndryshme, por asnjëra nuk u finalizua për shkak të politikës së Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së për të mos shqyrtuar falje post-mortem, përveç rasteve kur ka prova të qarta pafajësie.
Më 23 nëntor 2011, gjatë ceremonisë tradicionale të Falënderimeve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barak Obama përmendi O. Henrin gjatë faljes së dy gjelave të detit të quajtur “Liberty” dhe “Peace”, si kujtesë se historia shpesh i sheh njerëzit përtej një gabimi të vetëm.
Në vitin 2012, dy avokatë nga Teksasi paraqitën kërkesë zyrtare për faljen e tij pas vdekjes. Po atë vit, Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara e nderoi shkrimtarin duke nxjerrë një pullë postare me portretin e tij.
Megjithatë, deri sot, O. Henry vazhdon të mbajë në biografi dy etiketa kontradiktore: shkrimtari i madh që preku zemrat e miliona lexuesve dhe njeriu që dikur u dënua për krim financiar.
Ironia më e madhe është se jeta e tij duket sikur është shkruar nga vetë ai: një histori me një kthesë të papritur në fund. Një njeri që hyri në histori për tregimet e tij mbi faljen, dashurinë dhe fatin, mbeti vetë duke pritur një akt të fundit drejtësie që mund të mos vijë kurrë.
