26 korrik 1875 – Lindi në Zvicër themeluesi i psikologjisë analitike
Nga Leonard Veizi
Nga një fëmijë i vetmuar dhe i heshtur, i zhytur në ëndrra dhe frikëra të pashpjegueshme, ai do të bëhej njeriu që i dha njerëzimit hartën e pavetëdijes. Sepse ai nuk e studioi shpirtin përmes librave, por e jetoi atë si një udhëtim të brendshëm.
Ky ishte Karl Gustav Jung…
…Më 26 korrik 1875, në Kesvil të Zvicrës, lindi Karl Gustav Jung, një nga figurat më të rëndësishme të psikologjisë së shekullit XX. Ai nuk do të bëhej vetëm një mjek dhe studiues i mendjes njerëzore, por një eksplorues i botës së padukshme të ëndrrave, simboleve, kujtesës kolektive dhe thellësive të pavetëdijes.
Fëmijëria e Jungut nuk ishte e zhurmshme dhe e shoqërueshme. Ai vetë e përshkruante veten si një fëmijë të mbyllur, të heshtur dhe të prirur drejt vetmisë. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij, ai kalonte shumë kohë duke menduar, vëzhguar dhe përjetuar botën e brendshme. Pikërisht kjo prirje drejt introspeksionit do të bëhej më vonë themeli i kërkimeve të tij mbi psikikën njerëzore.
Një ngjarje e rëndësishme e fëmijërisë së tij ndodhi kur ishte rreth 12 vjeç. Gjatë një përplasjeje me një shok shkolle, ai u godit rëndë dhe humbi vetëdijen. Pas kësaj ngjarjeje, Jung filloi të kishte episode të shpeshta të fikëti. Për një periudhë, prindërit dhe mjekët dyshuan se ai vuante nga epilepsia dhe kjo diagnozë e mundshme krijoi frikë për të ardhmen e tij.
Por një ditë ndodhi një kthesë vendimtare. Rastësisht, Jung dëgjoi prindërit e tij duke biseduar me shqetësim për gjendjen e tij. Ata kishin frikë se, për shkak të sëmundjes, ai mund të mos ishte kurrë në gjendje të punonte, të ndërtonte një jetë të pavarur dhe të mbështeste veten.
Ajo bisedë e preku thellë. Vite më vonë, Jung do të tregonte se ky moment ishte një nga përvojat më të rëndësishme të fëmijërisë së tij. Ai vendosi të mos dorëzohej përballë frikës dhe dobësisë së supozuar. Në vend që të identifikohej me sëmundjen, ai filloi ta sfidonte atë.
Më vonë, duke e analizuar këtë episod me sytë e një psikologu, Jung e quajti atë një nga takimet e para personale me botën e neurozave, konflikteve të brendshme dhe mekanizmave të pavetëdijshëm të mendjes njerëzore.
Ai studioi mjekësi dhe u specializua në psikiatri. Në fillimet e karrierës u afrua me Zigmund Frojdin, themeluesin e psikanalizës, dhe për një kohë u konsiderua si pasardhësi i tij intelektual. Megjithatë, dallimet e thella teorike mes tyre çuan në një ndarje. Jung nuk besonte se çdo konflikt psikik mund të shpjegohej vetëm përmes seksualitetit dhe përvojave të fëmijërisë, siç argumentonte Frojd.
Nga kjo ndarje lindi një rrugë e re: psikologjia analitike e Jungut. Ai zhvilloi koncepte që do të ndikonin fuqishëm në psikologjinë moderne, si pavetëdija kolektive, arketipat, personazhi social (persona), hija, si dhe procesi i individuimit – rruga përmes së cilës njeriu përpiqet të bëhet i plotë duke njohur të gjitha anët e vetes.
Për Jungun, njeriu nuk ishte vetëm një qenie që reagon ndaj traumave të së kaluarës, por edhe një krijesë që kërkon kuptim, simbol dhe një lidhje më të thellë me ekzistencën.
Ironikisht, fëmija i vetmuar dhe i heshtur, për të cilin prindërit kishin frikë se nuk do të mund të ndërtonte një jetë normale, u bë një nga mendimtarët që ndihmuan njerëzimin të kuptonte më mirë botën e tij të brendshme.
Karl Gustav Jung e kaloi gjithë jetën duke kërkuar atë që dikur kishte përjetuar vetë si fëmijë: misterin e fshehur pas mendimeve, frikërave dhe ëndrrave të njeriut. Ai vdiq më 6 qershor 1961, por idetë e tij vazhdojnë të ndikojnë psikologjinë, filozofinë, letërsinë dhe mënyrën se si njeriu kupton veten.
