Last Updated on 27/07/2026 by Anisa
Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur ditën e sotme, kur kreu i Partisë Mundësia rrëmbeu nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA.
Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Sipas shkresës, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë informuar se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.
PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesë thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, e cila sipas dokumentit e ka ndjekur për ta rimarrë, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar.
Përveç masës disiplinore, socialistët kërkojnë që rasti t’i referohet SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Kërkesa e PS-së:
Të nderuar anëtarë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën,
Në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 27 korrik 2026 e filluar ora 10.00, gjatë diskutimit të procedurës për shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”, deputetët u informuan nga Kryetari i Kuvendit zoti Niko Peleshi se kjo Marrëveshje përmban informacion të klasifikuar e për pasojë deputetët që duan të njihen me të duhet të zbatojnë parashikimet dhe detyrimet e ligjit, duke u paraqitur pranë sekretarisë, në sallën “Gerti Bogdani”, ku të firmosin paraprakisht një Deklaratë Konfidencialiteti dhe se nuk mund të marrin ose të riprodhojnë kopje të këtij dokumenti.
Deputeti Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” dhe në shkelje të ligjit insistoi ta merrte kopjen fizike me vete. Stafi i Kuvendit e sqaroi se, në zbatim të ligjit materiali mund të lexohej vetëm brenda sallës dhe kopja nuk lejohej të dilte prej sallës. Deputeti nuk pranoi këtë sqarim ligjor, e grabiti me forcë materialin dhe u largua bashkë më të. Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese.
Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive
ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme.
Këto sjellje cënojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Sjellja e deputetit duke marrë më
forcë dhe duke nxjerr jashtë sallës dokumentin e klasifikuar përbën shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
Për sa më sipër, bazuar në nenin 63, dhe nenin 65/1 pika 1,6 dhe pika 7, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar; dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetin Agron Shehaj, për sjellje të përsëritura të dhunshme dhe agresive duke vënë në rrezik stafin e Kuvendit, dhe duke marrë më forcë dhe nxjerr jashtë sallës materialin e klasifikuar, që përbën shkelje flagrante të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
Gjithashtu referuar parashikimeve të Kodit Penal, nenet 139-142, 294-296, 235, t’i referohet mënjëherë Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me dyshimet se shtetasi Agron
Shehaj ka kryer veprat penale:
(i) përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
(ii) (ii) vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
(iii) (iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
(iv) (iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
(v) (v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.
/ad
