Nga Leonard Veizi
Kur telat e kitarës së tij dridheshin, nuk prodhonin vetëm muzikë; por shkaktonin dhe një gërvishtje në pasqyrën e një shoqërie që përpiqej të fshihte plagët e veta…
…Kurt Kobain nuk erdhi në këtë botë për të qenë yll, por për të qenë një dritë e kuqe alarmi. Ai ishte poeti i periferive të harruara, njeriu që shndërroi dhimbjen e izolimit në një himn universal. Ai e ktheu trishtimin në art, derisa arti u bë shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supe. Dhe më 5 prill 1994 i dha fund jetës në shtëpinë e tij në Siatëll, duke qëlluar veten me armë gjahu. Hetimet zyrtare thane se ai kishte vdekur tri ditë para se trupi i tij të zbulohej.

Nirvana
Në vitin 1987, Kurt Kobain formoi “Nirvana”-n së bashku me Krist Novoseliçin, ndërsa më vonë iu bashkua Dejv Groll, duke krijuar formacionin klasik që do të ndryshonte historinë e rock-ut. Kobaini ishte zemra artistike e grupit: ai shkruante shumicën e këngëve, përcaktonte tingullin “grunge” dhe i jepte Nirvana-s identitetin e saj emocional dhe rebel. Këngë si “Smells Like Teen Spirit”, “Come As You Are” apo “Lithium” ishin drejtpërdrejt pasqyrim i botës së tij të brendshme. Për Kobainin, Nirvana nuk ishte thjesht një bandë, por mënyra për të shprehur dhimbjen dhe revoltën, për të sfiduar normat e industrisë muzikore dhe për t’i dhënë zë një brezi të tërë. Pa të, Nirvana nuk do të kishte ekzistuar në atë formë, dhe pa Nirvana-n, ai nuk do të ishte bërë simbol global. Kurt Kobain nuk ishte thjesht pjesë e saj — ai ishte vetë shpirti i saj.
Revolucioni i “Nevermind”
Në fillim të viteve ’90, muzika dominuese ishte ajo e “hair metal” – e mbushur me shkëlqim artificial dhe teprime. Kobain, me këmishat e tij të vjetra me kuadrate dhe flokët e pakrehur, solli të vërtetën.
Në janar të vitit 1992, albumi “Nevermind” rrëzoi Majkëll Xheksonin nga kreu i listave “Billboard”. Ky nuk ishte thjesht një ndryshim shijesh; ishte një tërmet kulturor.
Megjithatë, Kobein ndihej në faj për suksesin. Ai e urrente faktin që muzika e tij, e krijuar për “outsider”-at, po blihej nga njerëzit që dikur e kishin bullizuar në shkollë.
Diseti i brendshëm
Përtej depresionit klinik, Kobein vuante nga probleme kronike shëndetësore që ndikuan thellë në gjendjen e tij emocionale.
Për vite me radhë, ai vuajti nga një gjendje e pashpjegueshme gastrointestinale, që e bënte ngrënien dhe jetën e përditshme një torturë. Shumë besojnë se përdorimi i heroinës filloi si një formë “vetë-mjekimi” për të mpirë këtë dhimbje fizike të padurueshme.
Ai ishte një njeri plot kontradikta: një feminist i bindur, një mbrojtës i të drejtave LGBT në një kohë kur kjo ishte tabu në rock, dhe një shpirt jashtëzakonisht i ndjeshëm që fshihej pas një muri zhurme dhe distorsioni.
Letra e lamtumirës
Më 5 prill 1994, në serrën mbi garazhin e shtëpisë së tij pranë Liqenit Uashington, Kërt shkroi rreshtat e fundit drejtuar mikut të tij imagjinar të fëmijërisë, Bodah.
“Është më mirë të digjesh shpejt sesa të zbehesh ngadalë” – ky citat nga Nil Jang u bë epitafi i tij. Në letër, ai rrëfente se nuk ndjente më emocionin e dëgjimit të muzikës apo të krijimit të saj.
Me vdekjen në këtë moshë, ai iu bashkua legjendave si Xhimi Hendriks, Xhenis Xhoplin dhe Xhim Morison, duke vulosur statusin e tij si një “shenjt i rënë” i rock-ut.
Më shumë se një rrugëtim muzikor
Ndikimi i Kobein nuk u ndal te akordet e “Smells Like Teen Spirit”. Ai ndryshoi mënyrën se si industria e shihte artin: Ai dëshmoi se nuk ke nevojë për produksione miliona dollarëshe për të prekur zemrën e botës; mjafton një kitarë e paakorduar mirë dhe një e vërtetë e madhe. Ai i dha zë apatisë, ankthit dhe cinizmit të një brezi që ndihej i tradhtuar nga ëndrra amerikane. “Unë nuk jam një zëdhënës. Unë jam thjesht një njeri që luan kitarë”, thoshte ai shpesh. Por bota kishte vendosur ndryshe.
Sot, mbi 30 vjet pas largimit të tij, Kërt Kobein nuk kujtohet vetëm për fundin e tij tragjik. Ai kujtohet si njeriu që na dha leje të jemi të thyer, të jemi të trishtuar dhe të jemi vetvetja në një botë që kërkonte përsosmëri.
Ai iku në heshtje, por zhurma që la pas vazhdon të jetë muzika më e sinqertë që kemi dëgjuar ndonjëherë.
