Nga Leonard Veizi
Filmi „Hotel Mumbai“, me regji të Entoni Marasit, riktheu në ekran një prej episodeve më dramatike të terrorizmit bashkëkohor: sulmet e përgjakshme në qytetin indian të Mumbait, në nëntorin e vitit 2008. Përmes historisë së njerëzve të bllokuar në hotelin Taj Mahal, filmi sjell jo vetëm tmerrin e atyre orëve, por edhe guximin e atyre që rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët…
…Në nëntor të vitit 2008, India u përball me një prej kapitujve më tronditës të historisë së saj moderne: sulmet terroriste të Mumbait. Për afro tri ditë, nga mbrëmja e 26 nëntorit deri në mëngjesin e 29 nëntorit, qyteti më i madh dhe një prej qendrave më kozmopolite të vendit u shndërrua në një skenë dhune dhe kaosi. Një seri sulmesh të koordinuara goditën njëkohësisht disa prej pikave më të rëndësishme të metropolit, duke paralizuar jetën urbane dhe duke tronditur opinionin ndërkombëtar.
Katër ditë terrori
Më 26 nëntor 2008, dhjetë terroristë të organizatës islamike Lashkar-e-Taiba, me bazë në Pakistan, mbërritën në Mumbai nga deti. Ata kishin udhëtuar nga Karaçi, kishin marrë nën kontroll një anije peshkimi indiane dhe, pasi vranë ekuipazhin, përdorën një mjet të vogël lundrues për të arritur në brigjet e qytetit.
Pas zbarkimit, terroristët u ndanë në grupe dhe nisën një seri sulmesh të koordinuara në disa prej pikave më të frekuentuara dhe simbolike të Mumbait.
Ndër objektivat kryesore ishin:
-Stacioni Qendror Çhatrapati Shivaxhi Terminus, ku dy terroristë hapën zjarr ndaj udhëtarëve, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
-Hotelet luksoze Taj Mahal Palace dhe Oberoi-Trident, simbole të prosperitetit indian, të cilat u kthyen në skena përleshjesh dhe rrethimesh të përgjakshme.
-Qendra hebraike Nariman House, e njohur edhe si qendra Çabad, ku terroristët morën peng njerëz dhe vranë disa prej tyre.
-Kafeneja Leopold dhe spitali Kama, gjithashtu të goditura gjatë sulmeve.
Terroristët përdorën armë automatike, granata dhe eksplozivë. Të shtënat u dëgjuan në disa pjesë të qytetit, ndërsa zjarret në hotelet e goditura u transmetuan drejtpërdrejt nga televizionet ndërkombëtare.
Operacioni i forcave indiane të sigurisë zgjati rreth 60 orë. Forcat speciale, përfshirë njësitë e Gardës Kombëtare të Sigurisë, ndërhynë për të çliruar ndërtesat dhe për të shpëtuar pengjet. Nëntë prej sulmuesve u vranë gjatë operacionit. I vetmi i kapur i gjallë, Ajmal Kasab, u gjykua, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në nëntor të vitit 2012.
Bilanci dhe pasojat
Sulmet lanë pas 166 viktima, mes tyre civilë indianë, shtetas të huaj dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë. Mbi 300 persona të tjerë mbetën të plagosur. Në këtë bilanc nuk përfshihen nëntë terroristët e vrarë gjatë operacionit.
Tragjedia e 26 nëntorit u konsiderua një prej akteve më të rënda terroriste në historinë e Indisë. Ajo përkeqësoi ndjeshëm marrëdhëniet mes Indisë dhe Pakistanit, ndërsa nxori në pah mangësi serioze në sistemin e inteligjencës, kontrollin kufitar dhe përgatitjen e strukturave të sigurisë për përballimin e sulmeve të koordinuara.
Ngjarjet e 26/11 mbeten një plagë e hapur në kujtesën kolektive të shoqërisë indiane. Ato kujtojnë se terrorizmi nuk synon vetëm të marrë jetë njerëzish, por edhe të godasë ndjenjën e sigurisë së një shoqërie të tërë.
“Hotel Mumbai“, tragjedia e rikthyer në ekran
Ngjarjet e nëntorit 2008 u bënë objekt i disa trajtimeve dokumentare dhe artistike. Një prej realizimeve më të njohura është filmi „Hotel Mumbai“, i cili e përqendron rrëfimin te sulmi dhe rrethimi i hotelit Taj Mahal Palace.
Filmi, me regji të Entoni Marasit, sjell në ekran një histori të bazuar në ngjarje reale, duke ndjekur fatin e personelit dhe të klientëve që mbetën të bllokuar brenda ndërtesës. Në rolet kryesore interpretojnë Dev Patel, Armi Hamer dhe Nazanin Bonjadi.
Në qendër të rrëfimit është edhe shefi i kuzhinës Hemant Oberoi, një personazh real, i cili gjatë sulmit u përpoq të organizonte mbrojtjen dhe evakuimin e klientëve. Ndërsa personazhe të tjera janë krijime artistike, të frymëzuara nga dëshmitë dhe përvojat e të mbijetuarve.
Ajo që e bën filmin veçanërisht domethënës është mënyra se si trajton qëndrimin e punonjësve të hotelit. Shumë prej tyre, në vend që të mendonin vetëm për shpëtimin personal, u përpoqën të ndihmonin klientët, duke i udhëhequr drejt vendeve të sigurta dhe duke rrezikuar jetën e tyre.
Filmi nuk e fsheh brutalitetin e sulmit, por përpiqet të mos e kthejë dhunën në spektakël. Vëmendja përqendrohet te njerëzit, te frika, te vendimet e marra në çaste ekstreme dhe te solidariteti përballë një rreziku që dukej i pakontrollueshëm.
„Hotel Mumbai“ u vlerësua për intensitetin dramatik dhe interpretimet e aktorëve, por rëndësia e tij shkon përtej një rrëfimi kinematografik. Ai rikthen në kujtesë një tragjedi që nuk duhet harruar dhe nderon njerëzit që, mes zjarrit dhe terrorit, zgjodhën të mos braktisnin të tjerët.
Në fund, historia e Mumbait nuk është vetëm kronika e një sulmi terrorist. Është edhe historia e atyre që u gjendën përballë vdekjes dhe, në një moment kur instinkti njerëzor i shtyn të gjithë drejt shpëtimit individual, vendosën të ndihmonin njëri-tjetrin.
