18 Maji, Dita Ndërkombtare e Muzeut
Nga Leonard Veizi
Ekziston një mënyrë shumë e thjeshtë për të kuptuar nivelin e qytetërimit të një shoqërie: shihni si i trajton muzeumet e saj.
Një komb që nuk ruan kujtesën, herët a vonë fillon të humbasë edhe identitetin. Dhe identiteti nuk humbet gjithmonë me zhurmë apo me armë. Shpesh tretet ngadalë, në heshtje, mes indiferencës, harresës dhe betonit që mbulon historinë.
Më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, bota kujton rëndësinë e muzeve si institucione të memories kolektive. Por përtej ceremonive, postimeve protokollare dhe deklaratave kulturore, kjo ditë duhet të shërbejë si një pyetje e drejtpërdrejtë: çfarë po bëjmë realisht me kujtesën tonë?
Sepse muzeu nuk është depo objektesh të vjetra. Nuk është magazinë pluhuri historik. Ai është një organizëm i gjallë i ndërgjegjes njerëzore. Aty ruhet jo vetëm e shkuara, por mënyra se si një popull zgjedh të tregojë vetveten.
Një armë e ndryshkur, një fotografi e zverdhur, një kostum skenik, një ikonë, një dorëshkrim, një vegël pune apo një copë qeramike kanë vlerë jo për materialin që përmbajnë, por për kohën që mbartin brenda tyre. Muzeu është vendi ku objekti pushon së qeni send dhe bëhet dëshmi.
Në Shqipëri, marrëdhënia jonë me muzeun ka qenë shpesh kontradiktore. Kemi trashëgimi të jashtëzakonshme historike, por jo gjithmonë kulturë institucionale për ta mbrojtur. Kemi qytete që mbajnë mijëra vite histori, por ku kujtesa ndonjëherë trajtohet si pengesë për ndërtimin e radhës. Kemi muze që mbijetojnë me përkushtimin e specialistëve dhe jo falë vizionit shtetëror.
Dhe kjo është dramatike.
Sepse një shoqëri që nuk investon te muzeu, në fakt nuk investon te vetëdija e saj historike. Ajo prodhon breza që dinë gjithnjë e më shumë për botën virtuale dhe gjithnjë e më pak për rrënjët reale.
Në epokën e rrjeteve sociale, ku gjithçka konsumohet me shpejtësi dhe harrohet brenda pak orësh, muzeu mbetet një nga hapësirat e rralla ku koha ndalon për të reflektuar. Ai është kundërshtia filozofike e harresës moderne.
Prandaj, muzeu nuk duhet parë si luks kulturor, por si nevojë kombëtare.
Sepse aty ku ruhen kujtimet, ruhen edhe paralajmërimet. Historia nuk ekziston vetëm për krenari. Ajo ekziston edhe për të mos përsëritur gabimet. Në sallat e muzeve nuk ekspozohen vetëm fitore, por edhe tragjedi, luftëra, dhimbje dhe rrëzime qytetërimesh.
Dhe ndoshta ky është funksioni më i madh i muzeut: të na kujtojë se asnjë shoqëri nuk mbijeton gjatë pa kujtesë.
Një komb mund të ndërtojë autostrada, kulla dhe qendra tregtare. Mund të prodhojë ekonomi dhe propagandë zhvillimi. Por nëse humbet arkivin e shpirtit të vet, fillon të ngjajë me një njeri që ecën pa kujtesë: lëviz, por nuk di më kush është.
Ndaj 18 maji nuk është thjesht dhe vetëm Dita Ndërkombëtare e Muzeut. Është dita për të kuptuar se qytetërimi nuk matet vetëm me atë që ndërtojmë sot, por edhe me atë që zgjedhim të mos harrojmë.
