Nga Leonard Veizi
Më 11 gusht 2014 vdiq Robin Uilliams, aktori amerikan që mund të mbushte një sallë me të qeshura dhe, vetëm pak çaste më vonë, ta linte atë në heshtje…
…Kur lajmi i vdekjes së tij u përhap, bota e kinemasë humbi një nga fytyrat më të njohura të komedisë amerikane. Ajo që e bëri vdekjen e tij veçanërisht tronditëse ishte kontrasti mes figurës publike dhe vuajtjes private: njeriu që kishte kaluar dekada duke bërë miliona njerëz të qeshnin, kishte luftuar për vite me varësinë dhe probleme të rënda të shëndetit mendor. Uilliams ishte 63 vjeç
I lindur më 21 korrik 1951 në Çikago, Robin Uilliams studioi në prestigjiozen “Juilliard School” në Nju Jork, ku u dallua për energjinë e jashtëzakonshme skenike, aftësinë për të improvizuar dhe shpejtësinë e rrallë verbale. Karrierën e nisi në stand-up comedy, përpara se të bëhej i njohur për një audiencë të gjerë përmes serialit televiziv Mork & Mindy, ku interpretoi alienin Mork.
Kinemaja do t’i jepte disa nga rolet më të paharrueshme, duke e çuar nga komedia e shfrenuar te drama e thellë.
Në “Good Morning, Vietnam”, prodhuar në vitin 1987, ai luajti Adrian Kronauerin, prezantuesin e radios së ushtrisë amerikane në Vietnam. Performanca e tij energjike dhe pjesërisht e improvizuar i solli nominimin e parë për Oscar, për aktorin më të mirë.
Dy vjet më vonë erdhi “Dead Poets Society”, filmi që do ta shndërronte profesorin Xhon Kiting në një nga personazhet më të dashura të karrierës së tij. Në rolin e mësuesit të letërsisë, Uilliams u mësonte nxënësve të mos e shihnin botën vetëm përmes rregullave të vendosura nga të tjerët dhe i nxiste ta përjetonin jetën me vetëdije e guxim. Fraza latine Carpe diem – “Shfrytëzoje ditën” – mbeti e lidhur përgjithmonë me filmin.
Pasuan role të tjera të rëndësishme në “The Fisher King”, “Mrs. Doubtfire”, “Jumanji”, “The Birdcage” dhe “Patch Adams”. Në disa prej tyre humori ishte në plan të parë; në të tjerë, pas komedisë shfaqej një njeri i brishtë, i prekur nga humbja, vetmia apo nevoja për t’u dashur.
Në “Good Will Hunting”, prodhuar në vitin 1997, Uilliams luajti psikologun Shon Maguajr, një burrë që përpiqet të depërtojë përtej mburojës emocionale të një të riu jashtëzakonisht inteligjent. Ishte një nga interpretimet më të përmbajtura të karrierës së tij dhe i dha Oscar-in për aktorin më të mirë në rol dytësor.
Ironia e karrierës së tij ishte se një aktor i njohur kryesisht për të qeshurat fitoi Oscar-in në një rol ku forca e tij qëndronte pikërisht te heshtja, dhimbja dhe përmbajtja.
Por pas këtij suksesi fshihej një luftë e gjatë. Uilliams pati probleme me alkoolin dhe drogën dhe, pas një periudhe të gjatë abstinence, në vitin 2006 pranoi se kishte rifilluar të pinte dhe kërkoi ndihmë profesionale.
Në vitet e fundit të jetës, gjendja e tij u rëndua. Në vitin 2014 ai u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit. Vetëm pas vdekjes, autopsia zbuloi se në të vërtetë vuante nga demenca me trupa të Levyt, një sëmundje neurodegjenerative që mund të shkaktojë probleme të rënda njohëse, çrregullime të lëvizjes, halucinacione dhe ndryshime të forta të gjendjes emocionale.
Më 11 gusht 2014, Robin Uilliams u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Kaliforni. Vdekja u përcaktua si vetëvrasje.
Lajmi tronditi Hollivudin dhe miliona njerëz që ishin rritur me filmat e tij. Por pas vdekjes së tij, u bë edhe më e qartë se figura publike e komedianit të pandalshëm nuk mund të tregonte gjithçka për njeriun që fshihej pas saj.
Robin Uilliams kishte aftësinë e rrallë për ta kthyer dhimbjen në art dhe heshtjen në emocion. Ai mund të ishte njëkohësisht qesharak dhe prekës, i çmendur në energjinë e tij skenike dhe jashtëzakonisht i përmbajtur kur roli kërkonte dramë.
Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm te filmat dhe çmimet. Ajo që mbetet është një mënyrë e veçantë për ta kuptuar aktrimin: të bësh publikun të qeshë, por edhe ta detyrosh të shohë njeriun pas së qeshurës.
Më 11 gusht 2014, ai zë pushoi së foluri. Por personazhet e tij vazhduan të jetojnë.
Morku, profesori Xhon Kiting, zonja Dautfajër, doktor Patç Adams dhe psikologu Shon Maguajr mbetën në ekran si pjesë e një trashëgimie që nuk u shua bashkë me aktorin.
Robin Uilliams i dha botës shumë të qeshura.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse vdekja e tij na kujton diçka të vështirë për t’u pranuar: njeriu që na bën të qeshim nuk është domosdoshmërisht njeriu që nuk vuan.
