Në udhëtime, shpesh diferenca mes një qëndrimi të zakonshëm dhe një eksperience më të mirë nuk është çmimi, por mënyra si e kërkon.
Sipas një artikulli të Yahoo Travel, stafi i recepsionit pranon se disa kërkesa të klientëve kanë më shumë gjasa të plotësohen se të tjerat, sidomos kur bëhen me mirësjellje dhe në momentin e duhur.
Kërkesa më e zakonshme është ajo për një dhomë me pamje më të mirë. Nuk është gjithmonë e garantuar, por nëse hoteli ka dhoma të lira, recepsioni mund të të vendosë në kat më të lartë, në anën më të qetë të godinës ose në një dhomë me pamje më të këndshme. Kjo funksionon më shumë jashtë sezonit të pikut, kur hoteli nuk është plot.
Një tjetër kërkesë që shpesh pranohet është check-in më i hershëm ose check-out më i vonë. Hotelet nuk e premtojnë gjithmonë, sepse varet nga pastrimi dhe rezervimet e ditës, por nëse e kërkon paraprakisht ose në recepsion, mund të fitosh disa orë shtesë pa kosto. Yahoo Travel ka shkruar edhe më herët se gabimet në check-in mund t’u kushtojnë udhëtarëve përfitime dhe upgrade-e të mundshme.
Funksionojnë edhe kërkesat e vogla: jastëkë shtesë, batanije, ujë, produkte higjiene, adaptorë, dhomë më larg ashensorit ose larg zonave me zhurmë. Për hotelin, këto janë kosto minimale; për klientin, përmirësojnë shumë eksperiencën.
Nga ana ekonomike, kjo tregon një trend interesant: konsumatori po kërkon më shumë vlerë nga i njëjti çmim. Në një kohë kur çmimet e hoteleve dhe udhëtimeve janë rritur, njerëzit nuk kërkojnë vetëm “dhomë”, por fleksibilitet, komoditet dhe trajtim më personal.
Sekreti, sipas stafit të hoteleve, është të mos kërkosh sikur të takon patjetër. Më mirë funksionon një formulim i thjeshtë: “A ka mundësi për një dhomë më të qetë?” ose “Nëse keni disponueshmëri, do ta vlerësonim shumë një check-out pak më të vonë.” Në hoteleri, mirësjellja shpesh vlen sa një pagesë shtesë./ YAHOO TRAVEL-ad
