Qentë e njësisë K9 kalojnë muaj të tërë stërvitjeje për të krijuar një lidhje të fortë me efektivin që i shoqëron dhe për t’u specializuar në zbulimin e drogës, armëve, lëndëve plasëse dhe parave.
Në ‘Exclusive’ me Anila Hoxhën, përmes një procesi të gjatë socializimi dhe trajnimi, rrëfehet se si ata përgatiten për operacione në terren, ku nuhatja dhe reagimi i tyre bëhen vendimtarë në zbulimin e veprimtarive kriminale.
Secili ka një emër, në kafaz shkruhet edhe data e lindjes. Secili prej tyre do të ketë vetëm një polic që e shoqëron gjatë detyrës. Qeni do të ketë qaforen me mbishkrimin “Policia”, kurse efektivi uniformën e policit. Nëse ata të dy nuk socializohen me njëri-tjetrin, ndodh si rasti i arratisjes së një qeni gjatë trajnimeve, i cili refuzonte të merrte urdhra nga inspektori.
“Ky lloj qeni nuk kishte një socializim të mirë me instruktorin. Në fakt, instruktori mori katër, sepse baza e suksesit është socializimi me shoqëruesin. Polici duhet të ketë temperament të qetë, mbi baza vullnetare, të mos jetë i detyruar, të ketë qëndrueshmëri, ta ketë marrëdhënien me qenin për të punuar individualisht dhe në grup dhe të përshtatet shpejt. Ta ndjejë veten shoqëruesi udhëheqës, por fitimtar të dalë qeni, të dijë të bëjë lojë me të. Asnjëherë të mos e marrë me detyrim”,u shpreh shefi i trajnimeve Petrit Bushati.
“Këtu është parashkollor, mund t’i thuash. Unë e kam marrë që tre muajsh. Është socializimi me të, të lidhem me të. Duke ia ditur emrin, i shkoj te vendstrehimi dhe i them “Hera”. Ditët e para nuk e kupton, por duke i shkuar shpesh “Hera, Hera”, ajo e kupton që është Hera. Pastaj e mësoj me top. Po e mori topin, bën çdo gjë. Po arrita t’ia marr topin. Tani jam në fazën që unë dua t’i bëj fshehje dhe ajo do ta kërkojë”, tregon trajneri i policisë Astrit Kovaçi.
Përmes këtyre lojërave, “K9” stërvitet të nuhasë dozat e drogës, lëndët plasëse, armët dhe paratë, duke e nxjerrë nga klasa në terren.
“Sot është hashash, momentet e tjera me kokainë, kanabis në formë çokollate. Këto do t’i fshehin te sedilja dhe lidhjen me nuhatjen e bëjmë me topin aport. Pastaj i shkëpusim, i fusim në makinë dhe kur e gjen ne e shpërblejmë. Kjo është teoria e kushtëzimit: e gjen këtë dhe unë të jap këtë. Ata reagojnë gjithmonë ndaj drogës dhe, kur venë në strukturat vendore, bëjnë vazhdimisht ushtrime”, rrëfen trajneri Shaqir Bardhoshi.
“Është e zbrazët, pa fishekë. Është e sigurt, por s’di ta hap. Qeni që stërvitet për armët është i ndarë nga eksplozivi dhe ne ndjekim praktikat e BE-së. Po ju prezantoj me kolegun tim. Quhet Ashi, është i moshës dy vjeç, është Sambi. Ka katër specialitete narkotike. Ai tregon se e gjeti”,tregon nënkomisari Ilir Balla./ad
