Last Updated on 06/05/2026 by EL
Nga Sejdin Cekani
Opozita njoftoi për ditën se kur do të mblidhet për kryengritjen e radhës dhe për rrëzimin e qeverisë.
Në të vërtetë, ndodhemi në realitetin paradoksal të politikës shqiptare, ku qytetari gjendet shpesh përballë një zgjedhjeje të rreme: nga njëra anë një qeveri e akuzuar për korrupsion galopant dhe qeverisje të keqe; nga ana tjetër një opozitë e konsumuar, e cila, për më shumë se tri dekada, ka ricikluar të njëjtat figura, të njëjtin diskurs dhe të njëjtat paqartësi programore. Në vend që të ndërtojë alternativa të qarta programore koherente, ajo shpesh i rikthehet retorikës së përhershme të “revolucionit” apo “kryengritjes”, sikur shoqëria të ishte gjithmonë në prag përmbysjeje. Në njëfarë mënyre, në mendjen e shefit të opozitës është bërë ide e ngulët koncepti i “revolucionit permanent”, i artikuluar nga Leon Trocki në fillim të shekullit XX. Ai lloj revolucioni i vazhdueshëm (permanent revolution) deri në transformimin tërësor të shoqërisë, kishte kuptim në një epokë përmbysjesh radikale. Por transplantimi mekanik i kësaj filozofie në realitetin e sotëm pluralist e demokratik prodhon vetëm zhurmë e dhunë, por jo zgjidhje.
Shoqëritë moderne nuk ndërtohen e nuk funksionojnë sipas parimit të krizës së përhershme, por mbi parimin e institucioneve të forta, rregullave të lojës që janë të gjithëpranuara dhe konkurrencës së ideve.
Thirrjet për kryengritje, sidomos kur shoqërohen me veprime të dhunshme apo me delegjitimim e sistemit, nuk përfaqësojnë alternativa, por mungesën e tyre. Një opozitë që nuk ofron platformë konkrete për ekonominë, drejtësinë, arsimin apo integrimin europian, por vetëm zemërim të kanalizuar në slogane radikale e hakmarrje, e varfëron debatin publik.
Nga ana tjetër, edhe qeveria që mbështetet në dobësinë e opozitës për të relativizuar dështimet e saj, sidomos në luftën kundër korrupsionit, ushqen të njëjtin cikël mosbesimi te qytetarët. Krijohet kështu një rreth vicioz: qeverisje e kontestuar dhe opozitë e paqëndrueshme. Ndërkaq, qytetari i thjeshtë ndihet i përjashtuar nga një proces që duhet ta përfaqësojë.
Në këtë kuptim, “revolucioni permanent” nuk mund të jetë projekt politik, por simptomë e mungesës së reformimit të elitave tona problematike. Koha e përmbysjeve marksiste, leniniste apo trockiste ka perënduar njëherë e mirë.
Demokracitë funksionale kërkojnë evolucion të vazhdueshëm institucional, jo revolucion të përhershëm retorik.
Shqipëria ka nevojë për qartësi vizioni, përgjegjësi dhe rinovim politik e jo për t’u kthyer në paradigma të tejkaluara ideologjike që i përkasin një shekulli tjetër.
Sepse, në fund të fundit, as qytetarët nuk kërkojnë revolucion, por një shtet që funksionon.
