Nga Sejdin Cekani
Më bëri përshtypje një paradite një “peizazh” jo dhe aq i zakontë, por tejet domethënës: flamuj kombëtarë në çdo tryezë të një bar-kafeje pranë ish Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Përballë tyre, një ekran i madh, gati për të transmetuar ndeshjen e futbollit mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Polonisë.
Në pamje të parë, asgjë e jashtëzakonshme. Një strategji e zakonshme biznesi: tërheqje klientësh, rritje xhiroje, shfrytëzim i një ngjarjeje sportive për të siguruar sa më shumë të ardhura. Në fund të fundit, në ditë të tilla, lokalet mbushen me tifozë, sportdashës, por edhe me bastexhinj.
Por ajo çka e bën të veçantë këtë rast nuk është ndeshja. Është pikërisht mënyra sesi ajo është “paralajmëruar”: një flamur në çdo tryezë. Një gjest i vogël, por me një simbolikë domethënëse. Një ftesë e heshtur për të qenë bashkë. Për të ndarë emocione. Për të ndjerë diçka që shkon përtej individit.
Dhe këtu lind pyetja: pse duhet të presim një ndeshje futbolli për t’u mbledhur bashkë? Pse duhet një flamur në tryezë për të na kujtuar se i përkasim diçkaje të përbashkët?
Sepse, në të përditshmen tonë, gjithnjë e më shpesh, zgjedhim të kundërtën. Mbyllemi nëpër dhoma dhe ulemi përpara ekraneve që na ushqejnë me zhurmë e jo me përmbajtje. Disa televizione transmetojnë 24 orë konflikte artificiale, thashetheme, banalitet dhe modele të pështira sjelljeje. Aty nuk ndërtohet asnjë vlerë. Përkundrazi, konsumohet ajo që kemi.
Dhe më shqetësuese se vetë këto programe është fakti se ato ndiqen me një lloj tifozerie të pakuptimtë, si një zëvendësim i emocioneve të njëmendta. Pra, një mënyrë për të kaluar kohën e jo për ta jetuar atë.
Pikërisht për këtë, ai “peizazhi” i thjeshtë i kësaj paraditeje merr një kuptim tjetër. Ai është më shumë se dekor. Është një alternativë. Një kujtesë se njerëzit mund të dalin nga izolimi, të ulen pranë njëri-tjetrit, të përjetojnë emocione të vërteta dhe të ndajnë ndjenja që i bashkojnë.
Sepse ndjenja nuk është vetëm flamuri. Është çasti kur ai merr kuptim dhe simbolikë mes njerëzve, aty në tryezën e kafesë.
Dhe në fund, një urim i thjeshtë, por i sinqertë: Suksese Kombëtares sonë kuq e zi!
