Sean “Diddy” Combs dyshohet se po gëzon një sërë lehtësish të pazakonta gjatë vuajtjes së dënimit në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey. Pretendimet janë publikuar nga NBC News, bazuar në dëshmitë e disa personave që ndodhen pranë institucionit.
Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, reperi 56-vjeçar ka arritur të sigurojë gjëra që zakonisht janë të ndaluara brenda burgut, mes tyre një telefon të paautorizuar, alkool dhe ushqime të përgatitura posaçërisht për të.
Disa prej të burgosurve thuhet se e ndihmojnë Combs me punë të ndryshme të përditshme. Burimet pretendojnë se disa prej tyre pastrojnë ambientet, lajnë rrobat, përgatisin ushqimin ose i bëjnë masazh.
Një tjetër pretendim lidhet me përdorimin e një telefoni të paligjshëm, përmes të cilit Combs dyshohet se hyn në Instagram dhe merr materiale me përmbajtje seksuale nga një ish-partnere.
Raportimi i NBC News përfshin gjithashtu pretendime për konsumimin e alkoolit. Një prej burimeve deklaroi se kishte pirë konjak Hennessy së bashku me reperin gjatë fundjavës.
Po sipas këtyre dëshmive, Combs dyshohet se ka marrë edhe Remeron, një ilaç kundër depresionit, nga të burgosur të tjerë.
Në listën e privilegjeve të pretenduara përfshihen edhe ushqimet. Burimet thonë se për të janë përgatitur pjata si pulë me curry, pica dhe empanada, duke përdorur pajisje improvizuese për gatim.
Ndërkohë, dy persona pretendojnë se reperi ka në dispozicion edhe një tabletë të modifikuar, me të cilën shikon filma dhe dokumentarë. Mes përmbajtjeve që dyshohet se ka ndjekur është edhe dokumentari i Netflix, “Sean Combs: The Reckoning”.
Burimet pretendojnë gjithashtu se disa të burgosur i ruajnë letrat që merr nga fansat dhe kujdesen për sende të tjera personale.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Combs ka kundërshtuar mënyrën se si po paraqitet jeta e reperit në burg. Në një deklaratë për PEOPLE, zëdhënësi tha se mediat po e kthejnë në lajm çdo detaj të jetës së tij të përditshme pas hekurave.
Sipas tij, Combs po e vuan dënimin në përputhje me rregullat dhe aktualisht pret vendimin e gjykatës lidhur me apelimin e tij./mxh
