Pentagoni ka hedhur poshtë si të rremë një raport të publikuar nga The Washington Post, sipas të cilit Departamenti i Mbrojtjes vlerëson se do të nevojiten deri në gjashtë muaj për të pastruar nga minat Ngushtica e Hormuzit.
Sipas gazetës amerikane, ky vlerësim është ndarë gjatë një takimi konfidencial me anëtarët e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, duke cituar tre zyrtarë të paidentifikuar të njohur me çështjen.
Por zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, reagoi duke akuzuar mediat për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar. “Përdorimi selektiv i informacionit – shumica e të cilit është i rremë – nga një informim i mbyllur përbën gazetari të pandershme”, deklaroi ai për Agence France-Presse.
Parnell theksoi se ekzistenca e një vlerësimi nuk nënkupton domosdoshmërisht se ai është realist, duke shtuar se një mbyllje gjashtëmujore e Ngushticës është “e pamundur dhe absolutisht e papranueshme”.
Sipas një grafiku të publikuar nga AFP, operacionet e çminimit në distancë realizohen përmes teknologjive të avancuara. Anijet luftarake përdorin dronë ajrorë për të skanuar zonën me radarë dhe lazer, duke identifikuar minat pranë sipërfaqes së ujit.
Më pas, dronë detarë afrohen dhe simulojnë sinjale zanore ose magnetike të anijeve, duke shkaktuar shpërthimin dhe neutralizimin e minave. Për minat e vendosura në shtratin e detit përdoren sisteme sonar për zbulim, ndërsa dronë të tjerë vendosin eksplozivë pranë tyre, të cilët aktivizohen nga distanca nga operatorët.
Sipas raportimit të The Washington Post, ligjvënësit amerikanë janë informuar se Irani mund të ketë vendosur mbi 20 mina në dhe përreth ngushticës, disa prej të cilave janë të pajisura me teknologji GPS dhe telekomandë, duke i bërë më të vështira për t’u zbuluar.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar për një “zonë rreziku” që shtrihet në rreth 1,400 kilometra katrorë, duke rritur shqetësimet për sigurinë detare në rajon.
Nga ana tjetër, kompani të mëdha të transportit detar, përfshirë Hapag-Lloyd, kanë kërkuar më shumë qartësi mbi rrugët e sigurta të lundrimit, ndërsa mbeten të kujdesshme për shkak të rrezikut nga minat./kb
