Pas zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu Himarën gjatë ditës së djeshme, ka nisur evidentimi i dëmeve të shkaktuara, me qëllim identifikimin e familjeve të prekura dhe vlerësimin e nevojave për ndihmë dhe dëmshpërblim.
Këtë e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se komisioni i ngritur nga Bashkia Himarë ndodhet në terren dhe po vijon verifikimin dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri, si dhe identifikimin e rasteve që kanë nevojë për mbështetje.
Tavo u ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura që, për të raportuar dëme apo për çdo nevojë për ndihmë, të kontaktojnë Drejtorinë e Emergjencave pranë Bashkisë Himarë.
Ndërkohë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike dhe strukturat përkatëse të Bashkisë Himarë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, me qëllim normalizimin e plotë të situatës.
Aktualisht, në lagjen “Kalto”, po punohet për hapjen dhe lirimin e akseve rrugore, për të mundësuar qarkullimin e automjeteve, si dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.
Puna dhe ndërhyrjet në terren do të vijojnë pa ndërprerje deri në përballimin e plotë të situatës së krijuar që prej ditës së djeshme.
Strukturat e Bashkisë Himarë vijojnë të jenë në terren dhe pranë çdo familjeje të prekur./k.m
