Last Updated on 27/04/2026 by EL
Vetëprodhuesit e energjisë elektrike do të jenë lojtarë të rëndësishëm në treg. Me anë të një projektligji të ri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon që t’i japë mundësinë të gjithë personave që prodhojnë energji për konsum vetjak përmes diellit-erës, që tepricën jo vetëm ta hedhin në rrjetin publik, por edhe t’ua shesin privatëve.
“Qëllimi i këtij ligji është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve, nëpërmjet krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë interesat e klientëve, sigurinë e cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike dhe kërkesat për mbrojtjen e mjedisit dhe nevoja për të integruar tregun shqiptar të energjisë elektrike me tregjet e tjera rajonale të energjisë elektrike dhe tregun e integruar evropian të energjisë elektrike.”
Nisma, që do të shfuqizojë ligjin aktual në fuqi, sjell konceptin e ‘klientit aktiv’, që në fakt janë vetë-prodhuesit të cilët, ndryshe nga sa ndodh tani që tepricën e energjisë së gjeneruar e hedhin në rrjet, do të mund ta shesin atë dhe tek klientë të tjerë.
“Klient aktiv” është klienti fundor, ose një grup klientësh fundorë që veprojnë së bashku, i cili konsumon ose depoziton energji elektrike të prodhuar brenda ambienteve të tij të vendosura brenda kufijve të caktuar, ose që shet energji elektrike të vetë-prodhuar ose merr pjesë në skemat e fleksibilitetit ose eficencës së energjisë, me kusht që këto veprimtari të mos përbëjnë veprimtarinë e tij kryesore tregtare ose profesionale.”
Nisma nuk ndryshon marrëdhëniet kontraktuale në fuqi të konsumatorëve familjare të cilët do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë me çmime të rregulluara nga shteti. Më të mbrojtur do të jenë familjet me pak të ardhura.
“Për qëllimin e përcaktimit të numrit të klientëve familjarë në varfëri energjetike, Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë, ministrinë e Financave, si dhe në konsultim me ERE-n dhe palët e interesuara, harton një tërësi kriteresh, që mund të përfshijnë të ardhurat e ulëta, shpenzimet e larta të të ardhurave të disponueshme për energji dhe efiçencë të dobët energjetike, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Nisma e re ligjore synon më shumë vëmendje edhe matësve inteligjent, për të pasur faturim sa më transparent. Ndryshimet, vijnë edhe si nevojë për t’u përputhur me direktivat e BE-së, por edhe për të krijuar një treg funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike./et
