Kolagjeni e mban lëkurën të fortë, elastike dhe “në vend”. Dhe sapo kalon të 25-at, fillon të bjerë gradualisht, edhe nëse nuk e vë re menjëherë.
Kolagjeni përbën rreth 75% të strukturës së lëkurës. Me pak fjalë, është “skeleti” që e mban gjithçka në formë. Por me kalimin e viteve, nivelet e tij fillojnë të bien dhe ndryshimet nuk vonojnë të duken.
Pas moshës 25 vjeç, humbasim rreth 1% të kolagjenit çdo vit. Si pasojë, lëkura bëhet më pak elastike, poret duken më të mëdha dhe fillojnë të shfaqen rrudhat. Sipas ekspertëve, këto janë shenjat e para që tregojnë se lëkura po humbet kolagjen.
1. Lëkura humbet fortësinë dhe fillon të “ulet”
Një nga shenjat e para është ndjesia që lëkura nuk është më aq e tendosur sa më parë. Ajo duket më e hollë, më pak elastike dhe poret fillojnë të duken më të theksuara.
2. Lëkura duket më e thatë
Kolagjeni ndihmon lëkurën të mbajë hidratimin. Kur ai bie, lëkura humbet aftësinë për të mbajtur ujin dhe fillon të duket më e thatë.
3. Vijat e holla dhe rrudhat bëhen më të dukshme
Fillimisht vijat e holla zhduken kur fytyra është në qetësi. Por me kalimin e kohës, ato mbeten të dukshme edhe pa bërë mimika dhe fillojnë të thellohen.
4. Lëkura humbet volum dhe “mbushje”
Nëse shtyp pak lëkurën dhe ajo nuk kthehet menjëherë në formën e mëparshme, kjo është një shenjë tjetër. Lëkura duket më e butë, më pak elastike dhe më pak e “plotë”.
5. Ndryshon forma e fytyrës
Me humbjen e kolagjenit, fytyra mund të duket pak më e “zbrazët”, sidomos në zonën e syve apo të tëmthave. Në disa raste, shfaqen edhe ndryshime në strukturën e përgjithshme të fytyrës.
Pse ndodh kjo?
Me kalimin e kohës, qelizat që prodhojnë kolagjen punojnë më pak. Por ka edhe faktorë që e përshpejtojnë këtë proces: dielli, stresi, dieta, ndryshimet hormonale (sidomos gjatë menopauzës).
A mund të ndalohet?
Jo plotësisht, por mund të ngadalësohet.
Ekspertët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë:
– përdor çdo ditë SPF
– shmang duhanin dhe ekspozimin e tepërt në diell
– ushqehu mirë (proteina, vitamina, aminoacide)
– fli mjaftueshëm dhe reduktor nivelet e stresit
– bëj aktivitet fizik rregullisht
– përdor produkte me përbërës që stimulojnë kolagjenin si vitamina C, peptide, acidi hialuronik
Sa për kremrat me kolagjen? Ato mund të përmirësojnë pamjen e lëkurës në sipërfaqe, por nuk e ndalojnë realisht humbjen e kolagjenit në thellësi.
Në fund, humbja e kolagjenit është pjesë natyrale e procesit të plakjes. Por sa shpejt ndodh varet shumë nga mënyra si kujdesesh për lëkurën tënde sot./mxh
