Aktorja e njohur Goldie Hawn ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në ekran, por e bën të qartë se kjo do të ndodhë vetëm nëse projekti ia vlen vërtet.
Në një intervistë për PEOPLE, ylli i filmave “Overboard” dhe “Death Becomes Her” theksoi se nuk ka interes të aktrojë thjesht për të qenë aktive. Sipas saj, gjithçka varet nga cilësia e skenarit dhe lidhja që ndjen me rolin.
“Gjithçka lidhet me përmbajtjen. Kam lexuar shumë skenarë që nuk më kanë bindur ose nuk i kam ndjerë si të përshtatshëm për mua,” u shpreh Hawn.
Aktorja, e cila nuk është shfaqur në një projekt të madh që nga “The Christmas Chronicles 2” (2020), ku interpretoi Mrs. Claus përkrah partnerit të saj afatgjatë Kurt Russell, tha se e vlerëson shumë rrugëtimin e saj në karrierë dhe nuk ndjen më nevojën të pranojë çdo rol.
“Kam pasur një karrierë të jashtëzakonshme dhe jam mirënjohëse për të. Por sot nuk më motivon të aktroj nëse projekti nuk ka një vlerë të vërtetë për mua,” u shpreh ajo.
Goldie Hawn u bë e famshme në vitet ’60 me “Rowan & Martin’s Laugh-In” dhe fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë dytësore me filmin “Cactus Flower” në vitin 1969. Ajo u nominua më pas për një tjetër Oscar për “Private Benjamin” dhe u bë pjesë e filmave të suksesshëm si “Shampoo” dhe “The First Wives Club”.
Aktorja nuk përjashton as mundësinë e një projekti familjar në të ardhmen, ku mund të bashkëpunojë me vajzën e saj Kate Hudson dhe anëtarë të tjerë të familjes që janë pjesë e industrisë së filmit.
“Do të ishte shumë argëtuese. Kemi folur për këtë ide, por kurrë mos thuaj kurrë,” përfundoi ajo./mxh
