Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Nga Anisa Xhani (Daci)
Brengat sociale janë si plagët, që kudo e prek dhemb.
“Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin”,-ishin fjalët që 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj kishte shkruar në letër para se t’i jepte fund jetës.
Xhuana jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi, por me sa duket kishte ngecur ‘peng’ i një marrëdhënie që e çoi në vetëflijim.
Shpesh dëgjojmë brezin e mamave tona të thonë: “Vazhdoni ju, diljani ju,ne kaq e patëm, bëmë si bëmë ”, si shenjë inkurajimi kur vajzat rebelohen me baballarët, me partnerët, kur nuk kanë frikë të përballen.
Edhe baballarët tanë, janë një brez i cili i orientoi dhe i mbështeti vajzat drejt shkollimit, drejt zgjedhjeve të tyre, por ndryshe nga nënat i kanë shoqëruar shpesh me fjalinë:“Vetë zgjodhe, vetë dili për Zot.”
Ndërkohë që mjaft shoqata, organizata, persona publik rreken në sloganin: “Gra të fuqizuara… fuqëzojmë gratë…”, për të ndihmuar gratë, por shpesh kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme.
Vajzat dhe gratë duket se kanë në dorë fatet e tyre, por shumë lëngojnë brenda mureve dhe shpirtit. Pavarësia ka ardhur me një faturë të rëndë, që për disa është edhe tragjike.
Sepse… Një brez që punoi për të fuqizuar gratë, harroi të mësonte burrat si të jetojnë me gratë e fuqizuara.
Çfarë ndodhi me djemtë?
Gjatë brezave, shumë djem janë mësuar se vlera e tyre vjen nga kontrolli, dominimi ose të qenit “siguruesi.” Pra, kur ata takojnë gra të forta, të pavarura, mund të ndihen të kërcënuar, jo sepse ato gra gabojnë, por sepse askush nuk i ka mësuar këta burra se si të ndajnë pushtetin, të komunikojnë, ose të festojnë forcën e një partneri pa u ndjerë të zvogëluar.
Të rinjtë sot përballen me marrëdhënie në distancë, sepse morën rrugët e emigracionit, kosto të larta të jetesës, tension mes traditës dhe modernitetit, mes familjes së origjinës dhe familjes së re që duan të ndërtojnë– dhe shpesh djemtë po dështojnë.
E keni dëgjuar besoj edhe këtë: ‘Si jeni bërë ju femrat sot?’ — një pyetje që shpesh bëhet sikur forca, zëri dhe pavarësia e grave janë diçka e gabuar, kur në të vërtetë janë thjesht shenja se gratë sot po zgjedhin të respektojnë veten, të flasin hapur dhe të kërkojnë marrëdhënie të bazuara në barazi dhe respekt.
Puna e vërtetë nuk është zvogëlimi i grave, por rritja e djemve. Burra që dinë se partneriteti nuk është konkurrencë. Se lidershipi mund të ndahet. Se dashuria nuk ka të bëjë me kontroll, por me respekt të ndërsjellë.
Gratë e fuqizuara nuk janë kriza. Burrat mediokër po.
