Last Updated on 11/12/2025 by EL
Nga Ardian Goci
26 Tetor 1979,e premte. Ndoshta isha shumë i ri për të përjetuar emocione të forta si ato të asaj nate,ndaj kjo datë dhe të tjerat që pasuan, e që ishin të lidhura me këtë datë,më janë ngulur thellë në kujtesë.
Dikush erdhi në oborrin e shtëpisë tonë dhe kërkoi tim atë,Argjentin. Nuk na bëri shumë përshtypje. I pa njohuri,as që mund ta mendonim që ai njeri kishte qenë lajmëtari i djallit. Mbaj mend që im atë kur u kthye brenda,ishte nxirë i gjithi dhe nuk foli fare. Vetëm na tha që e kishin thirrur në Ministrinë e Brendëshme për një sqarim.
Dua të bëj një parantezë.
Në vitin 1946, Argjenti,im atë pra, u dënua nga pushteti komunist i asaj kohe me 10 vite burgim,nën akuzën e rreme si “organizator për formimin e një fronti anti komunist”. Por në vitin 1949,pas tre vitesh, Enveri zbuloi “që ishte Koçi Xoxe ai që kishte mbushur burgjet plot me intelektualë,dhe si i tillë kishte krijuar një urrejtje ndërmjet intelektualëve dhe pushtetit popullor”. Prandaj e pushkatoi Koçi Xoxen dhe shpalli amnistinë për të burgosurit politikë. Por mëndja djallëzore e komunistëve nuk mund të mos e shfrytëzonte amnistinë për qëllimet e saja satanike.Në burg i thërritën një nga një të gjithë të burgosurit duke ju premtuar lirinë, me kusht që të nënshkruanin një dokument që të bashkëpunonin me sigurimin e shtetit si informatorë. Gjithmonë duke ju referuar atyre që më ka rrëfyer im atë. Imagjinoni tani një të burgosur që priste vdekjen nga moment në moment nga vuajtjet dhe stërlodhja si pasojë e punës së tmerrshme për tharjen e kënetës së Maliqit dhe nga trajtimi çnjerëzor në kamp, ti premtosh lirinë…Unë nuk mund të ve gishtin te asnjë ish i burgosur,por im atë e ka nënshkruar një dokument të tillë.
Vitet që pasuan nuk ishin aq të vështira. Argjenti ishte specialist në fushen e veterinarisë dhe zooteknisë pasi kishte kryer Institutin e Zoo-Veterinarisë në Ascoli Piceno të Italisë në vitet 1939-1941. Falë aftësive të tij si specialist nuk kishte lënë vend për dyshime si ish i burgosur dhe kundërshtar i regjimit. Por herë pas here punëtorët e sigurimit i kërkonin informata lidhur me njerëzit dhe me punën, gjë të cilen Argjenti me zgjuarsi kishte arritur ti shmangte pa i bërë dëm kërkuj. Kjo situatë vazhdoi për 20 vite radhazi, nga 1950-1970,kohë kur im atë u sëmur nga një T.B.C që e kishte marë gjatë kohës së burgut.

Tani ti kthemi fillimit të tregimit. Pas vitit 1970 Argjenti për shkak të një operacioni që kreu në mushkëri nuk ishte më i aftë për punë. Kështuqë edhe gjëndja shpirtërore ishte goxha e përmirësuar. Korieri që trokiti atë ditë të premte të zezë i tha tim eti të paraqitej të nesërmen në Ministrinë e Brendëshme . Kaq tha dhe iku. Ajo natë mos u harroftë. Ku nuk i shkonte mendja. Me kë kam folur…mos më ka spiunuar njeri… e lloj lloj mendimesh të zymta e të frikëshme.
Të nesërmen,doli nga shtëpia i ngrysur e i lodhur nga nata e gjatë dhe e pagjumë. Unë e përcolla deri te porta; ai me vuri dorën në kokë duke më shpupuritur flokët e duke më buzëqeshur,si për të më dhënë kurajo. U ula te porta sepse nuk më bënin këmbët të hyja brenda. Diçka të keqe parandjeja,edhe pse isha shumë i ri,vetëm 23 vjeç. Nuk e di sa kohë kaloi,ndoshta dy orë, kur e pashë tim atë që po vinte. Ecte sikur ti kishin ngarkuar një thes në shpinë. Kurrë nuk e kisha parë aq të kërrusur. Kur u afrua,vura re që po dridhej i tëri. Ndaloi,më vuri dorën në sup sikur donte të mbështetej nga pa fuqia, dhe me një zë që mu duk krejt ndryshe mu drejtua:
-Unë e di që ti ke për ti vujtë pasojat e mija. Por…- dhe ndaloi për një cast si për tu mbushur me frymë, -më mirë unë të vdes e ti të vuajsh se sa të të tregojnë me gisht si biri i spiunit!
Kaq tha, se ngashërimi nuk e la të fliste më tej. Ishte i ri, sapo kishte kaluar të pesëdhjetë e nëntat. Por atë moment mu duk shumë i plakur. E përqafova,e putha dhe i futa krahun. U futëm brenda dhe ja ngula sytë. Nuk ishte në gjendje të fliste. Prita disa çaste dhe ashtu, në fillim me zë të mekur,pastaj me një ton të mbushur me mllef dhe urrejtje filloi të fliste.
-Më kërkuan që të dëshmoj kundër Renato Baldinit.(Renato Baldini isht nje ish ushtar i luftes se dytë botërore i mbetur ne Shqipëri ku kishte krijuar familje. Jetonte në Kamëz,ishte një njeri I mrekullueshëm,bletërritës profesionist,mik i tim eti.)-Më kërkuan të dëshmoj se Renato ka thënë në filan kohë …kështu e kështu…. Unë nuk pranova. U thashë që jo mua të më burgosni,por edhe familjen të ma internoni unë nuk spiunoj sepse kjo që ju thoni nuk është e vërtetë!
Unë në atë kohë punoja në minierën famëkeqe të Mëzezit…më zi nuk kishte! Kështu që edhe unë nuk kisha ç’të humbisja. E përqafova tim atë dhe nuk fola… më mbyti ngashërimi. Sot këto muhabete duken si një skenar filmi artistik,po ju siguroj që për mua si dëshmitar i ngjarjes ishte vërtet e rëndë. Nga ai moment e mbrapa ne rrinim me zemër të ngrirë… duke pritur të na ngrinin me gjithë lecka.
Por… nuk ishe nevoja! Atë natë,im atë u shtri i sëmurë me temperaturë për të mos u ngritur kurrë më nga shtrati.Në mëngjesin e të hënës 29 Tetor 1979 e shtruam në sanatorium,ku për rreth katër muaj bëmë të gjitha përpjekjet për të luftuar sëmundjen e vjetër …por nuk ja dolëm.
Në pasditen e datës 24 Mars 1980,më thërret mjeku i Sanatoriumit për të më njoftuar se im atë ishte në ditët e fundit të jetës,prandaj ishte më mirë që ta mernim në shtëpi. Dhe më tha që të nesërmen ora 10:00 të vinim për ta marë. Sigurisht që për ne nuk ishte e papritur pasi e dinim që kjo ditë do të vinte sepse kishim vite që luftonim me sëmundjen. Por tronditja ime ishte shumë e madhe,ishte i ri ai dhe unë teper i ri për të përballuar jetën edhe ashtu të vështirë i vetëm.
Natën e 25 Marsit e kemi gdhirë bashkë me nënën;motres së vogël nuk i thamë,ishte shumë e re për ta bërë pjesë te dhimbjes tonë. E kemi gdhirë them unë,por në fakt para se të gdhihej një ushtar korier i ra derës dhe më njoftoi që të nisesha menjëherë në repartin ku isha pjesë si zborist . Pra alarm. Sigurisht që nuk kishte vënd për asnjë diskutim, në rast alarmi hynte në fuqi ligji i luftës dhe dezertorin e prisnin dënime të rënda.
Na rreshtuan diku pranë Vaqarrit ku kishim repartin dhe na thanë që do të niseshim për një marshim të gjatë për ti zënë pritë armikut në Fushë-Studë të Peshkopisë.
Nuk di ta përshkruaj dhimbjen e shpirtit. Vendosa ta provoja me komandantin e batalionit Daut Kryemadhin,pasi më kishte dhënë mundësinë disa herë për të biseduar tema të ndryshme gjatë kohës së zboreve.
I tregova hallin që kisha. Dauti më pa në dritë të syrit dhe si njeri shume inteligjent që ishte,e kuptoi që unë nuk po e mashtroja. Më vuri dorën në sup dhe më tha:
-Ardian,nisu e shko nxire babain nga spitali.Uroj ta gjejsh gjallë kur të kthehemi. Ne jemi rrugës për nga Shkalla e Tujanit. Mundohu të na kapësh sa më parë pa u ndier mungesa. Ik,me kujdes pa e marë vesh kërkush.
Atë çast mu hap qielli,fluturova dhe arrita në Sanatorium në kohën që po bëheshin përgatitjet.Na dhanë një ambulancë dhe pasi e rehatova tim atë në krevat në shtëpi , i spjegova që do më duhet të largohem për disa ditë. Nuk e harroj atë vështrim…”Mirardhsh,Zoti të rujtë”, Kaq më tha,unë e përqafova dhe i thashë që do kthehem shpejt,për tre-katër ditë.
Ika por koka më mbeti prapa. I arrita shokët dhe mungesa nuk ishte ndjerë.Kemi ecur për katër ditë e katër netë nën një shi të vazhdueshëm, duke kaluar Malin me Gropa duke pushuar vetëm natën sa për tu tharë sadopak dhe për të përtypur ndonjë copë bukë që mund të kishte shpëtuar pa u lagur. Ecja dhe mbaj mend që para meje ishte dikush i mbuluar me një fletë çadre,dhe unë shihja vazhdimisht gjysëm metri para vetes trekëndëshin e fletë-çadrës së tij që linte një vijë në baltën që shkelnim. Nuk ndjeja as lodhje e as gjumë kisha. Truri im ishte përqëndruar vetën në një pikë: A do ta gjeja gjalle tim atë kur të kthehesha?
Në ditën e pestë të marshimit,arritëm në Fushë –Studë,pas një “luftimi” të shkurtër, e mposhtëm “armikun” dhe e dërguam andej nga kishte ardhur. Kthimi ishte më i lehtë pasi na kishin sjellë makina diku në të hyrë të Librazhdit. Në 1 Prill pasdite arrita në shtëpi, me zemër të ngrirë pasi në netët e marshimit kisha përjetuar shumë makthe. Por im atë ishte duke më pritur,ai rrojti dhe një javë më pas deri sa u shua përfundimisht në datën 8 Prill 1980.
EPILOG
Jam përpjekur shumë të mar dosjen e tim eti. Fillimisht ishte tepër e vështirë. Më pas u aprovua një ligj që lejonte familjarët të njiheshin me dosjet e të afërmve të tyre. Me ndërhyrjen e mikut tim Agim Bakalli, arrita të mar “dosjen” e shumëpritur. Kishte këto të dhëna:
Rekrutuar nga oficeri i sigurimit S.M. në datën 20 Nëntor 1949.
Pseudonimi “Fleta”
C’regjistruar në datën 15 Qershor 1970 për arsye shëndetsore.
Bashkangjitur numri i dosjes si dhe foto përkatëse.
Asnjë aktivitet. Këtë e vërtetonte kolona e posaçme “Raportime” e cila ishte bosh.
Thjesht u ndjeva krenar dhe i lehtësuar.Siç do ndihej çdo bir për atin e tij.
Ardian Argjent Goci, Tirane 8 Dhjetor 2026.
