Last Updated on 03/02/2026 by Monika
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe i dërguar special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff u takuan këtë të martë në Jeruzalem. Kjo ishte vizita e dytë e Witkoff në Izrael brenda rreth 10 ditësh.
Sipas një zyrtari izraelit, takimi u zhvillua një ditë pas hapjes së pjesshme të pikëkalimit kufitar të Rafahut midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Takimi vjen përpara një raundi të ri bisedimesh midis SHBA dhe Iranit që pritet të zhvillohen këtë javë në Turqi lidhur me programin bërthamor iranian.
Witkoff dhe përfaqësuesi iranian i programit bërthamor do të takohen në Stamboll në përpjekje për të ringjallur diplomacinë dhe për të shmangur një konflikt më të gjerë rajonal.
Gjatë vizitës së mëparshme, Witkoff, i shoqëruar nga Jared Kushner, kishte ushtruar presion ndaj Izraelit për të hapur më shpejtë pikëkalimin e Rafahut, sipas mediave izraelite.
Zyrtarët izraelitë konfirmuan takimin, por nuk dhanë detaje specifike për përmbajtjen e bisedimeve./mxh
