Last Updated on 27/02/2026 by Anisa
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, u shpreh se ishte privilegj për të që të ushtronte detyrën e ministrit, edhe në një moment tranzicioni institucional, një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga ky post.
Në fjalën e tij, Vengu theksoi rëndësinë simbolike dhe strategjike të këtij investimi në mbrojtje, duke e cilësuar dorëzimin e sistemeve JAVELIN si një moment me peshë për Forcën Tokësore dhe për sigurinë kombëtare.
“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të lëmë këtë shenjë sot, së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në Forcën Tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh. Ky nuk është vetëm një simbol force, por edhe një mesazh qartësie strategjike,” u shpreh ai.
Sipas Vengut, investimet në mbrojtje shpesh nuk marrin vëmendjen apo duartrokitjet e menjëhershme, por mbeten thelbësore për garantimin e sigurisë afatgjatë të vendit.
“Investimi në mbrojtje nuk merr duartrokitje në fillim, por është i rëndësishëm. Shqipëria, nën orientimin e SHBA-ve, ka investuar në kohë paqeje me plan dhe disiplinë buxhetore. Mbrojtja nuk është një luks. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është vonë,” deklaroi ai.
Dorëzimi i sistemeve raketore JAVELIN konsiderohet një hap i rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të Forcës Tokësore, duke forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me partnerët ndërkombëtarë dhe duke rritur gatishmërinë mbrojtëse të vendit.
