Last Updated on 30/06/2025 by adminfjala
Nga David French
Republikanët në Senat mund të jenë në prag të dorëzimit më të rëndësishëm ndaj Presidentit Trump deri më sot — dhe nuk e kam fjalën për ndonjë “projektligj të madh e të bukur” që shkatërron buxhetin.
Të mërkurën, ndërsa sytë e vendit ishin ende të ngulur në Lindjen e Mesme, Komisioni i Gjyqësorit në Senat zhvilloi një seancë dëgjimore për kandidaturën e Emil Bove, të propozuar nga Trump për të shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të SHBA-së për Qarkun e Tretë, që përfshin rastet nga Pensilvania, Nju Xhersi, Delaveri dhe Ishujt Virgjinë.
Ky emërim është një tjetër shenjë se mandati i dytë i Trump po fillon (po, jemi ende në fillim) shumë ndryshe nga i pari. Ashtu siç kërkon servilë dhe po-nikë në administratën e tij, tani ai po zhvendos këtë qasje edhe në sistemin gjyqësor: duke përzgjedhur gjyqtarë që janë gati të bëjnë gjithçka për të fituar pëlqimin e një presidenti që e vlerëson mbi gjithçka bindjen dhe besnikërinë.
Deri tani, amerikanët janë mësuar me rënien e nivelit në ekipin e Trump. Në fillim të mandatit të tij të parë, poste të rëndësishme në degën ekzekutive mbusheshin me njerëz seriozë. Tani, poste kyçe të qeverisjes amerikane mbahen nga figura të diskutueshme si Kash Patel, Robert F. Kennedy Jr., dhe Pete Hegseth.
Por, sado të dëmshëm të jenë këta individë, ndikimi i tyre është i kufizuar — së pari, nga vetë Trump, i cili e ndien veten të lirë të anashkalojë çdo vendim të tyre për hir të kapriçove personale, dhe së dyti, nga kufizimi i kohës. Emërimet politike të Trump nuk do të zgjasin shumë; një president tjetër mund t’i zëvendësojë dhe të nisë procesin e rikuperimit institucional.
Por Emil Bove është një problem krejt tjetër.
Në moshën 44-vjeçare, ai është propozuar për një pozitë të përjetshme në sistemin federal të drejtësisë. Kjo do të thotë se ai do të mbijetojë politikisht shumë më gjatë se Trump. Dhe nëse gjykojmë nga e kaluara e tij, duhet të përgatitemi për një gjyqtar që do të bëjë çfarë është e nevojshme për të realizuar objektivat e tij politike — pa marrë parasysh ligjin apo moralin.
Burimi: The York Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi